Detaje të reja, gjithnjë e më shumë tronditëse janë zbuluar për vrasjen e Ilaria Sulës. Mediat italiane po zbulojnë detaje nga itinierari që ka ndjekur vrasësi i saj, Mark Samson. Sipas asaj që është bërë me dije gjatë marrjes së tij në pyetje, është zbuluar se pasi e vrau dhe i zhduku kufomën, 24-vjeçari vazhdoi jetën e tij si normalisht. Madje shkoi të konsumonte një piadinë me një shok të viktimës, të cilit i tregonte problemet që kishte me Sulën.
Me shokun e studentit 22-vjeçar ai foli për çështje sipërfaqësore dhe të parëndësishme (si për shembull ditëlindja e të dashurës së një miku të tyre), por po ashtu, gjatë kësaj kohe i dërgonte babait të vajzës që kishte vrarë mesazhe duke u hequr si e reja. Edhe “Il Messaggero” ka zbërthyer dëshminë e autorit, i cili tregoi se çfarë e shtyu atë në krimin makabër. Ai tregon se raporti i tyre po shkonte drejt fundit, gjë të cilën Samson nuk e pranonte dot. Por kishte dhe probleme me mënyrën sesi Ilaria e trajtonte.
“Isha gati që të luftoja që Ilaria të kthehej si e dashura ime. Ne jemi takuar në vitin 2023 dhe më 30 prill të atij viti konfirmuam lidhjen tonë. Ne kishim një marrëdhënie normale si çdo çift me ulje-ngritjet tona. Situata ndryshoi kur Ilaria më kërkoi të shihte notat e provimit të universitetit rreth dy-tre muaj më parë. Ky ka qenë gjithmonë një problem i madh për mua, një traumë që më ka ndjekur që nga shkolla fillore. Gjithmonë kam pasur ankth për sa i përket performancës time përpara prindërve. Ilaria më dha ultimatum se nëse nuk ia tregoja, atëherë do më linte. Në fund të këtij janari morrëm pak kohë pushim por sërish takoheshim. Ilaria ishte e paqëndrueshme. Herë më trajtonte si të dashur dhe herë si një mik të thjeshtë. Nuk e pranova dot ndarjen.”
Më pas ata vazhduan të takoheshin edhe për dhjetë ditë të tjera edhe pse ajo dukej më e ftohtë dhe më e shkëputur dhe donte të dilte me miqtë e saj, ose e vetme.
Por pavarësisht krimit, ishte Samson ai që tregoi se krimin nuk e kishte kryer i vetëm dhe se e kishte ndihmuar dhe e ëma.
“Kam ndihmuar djalin tim të pastrojë njollat e gjakut në shtëpi,”- pranoi në komisariat Nors Manlapaz, nëna e Mark Antony Samson. Gjatë marrjes në pyetje për më shumë se 4 orë, ajo tregoi: Dëgjova disa zhurma dhe hyra në dhomën e Markut!
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë. Ndërkohë siç raportojnë mediat italiane, pak ditë pasi i riu ka vrarë Ilarian dhe e hodhi atë në një greminë, ka çuar mjetin e tij në një servis, si dhe ka kërkuar pastrim të makinës. Punonjës të servisit ku Mark Samson çonte mjetin e tij për riparim, e kanë përshkruar atë si një djalë të sjellshëm dhe se nuk kishin menduar kurrë që ai mund të bënte diçka të tillë.
Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli. Shqiptarja u vra nga ish-i dashuri i saj filipinas, Mark Samson, i cili ndodhet në qeli. Hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet.