Vetëm disa javë para se të vdiste, Papa Françesku po bënte atë që bën më mirë: po zemëronte konservatorët.
Në një ndërhyrje të jashtëzakonshme në mes të shkurtit, Papa nisi një përplasje direkte me administratën e re amerikane, duke kritikuar planet e Presidentit Donald Trump për të deportuar miliona migrantë pa dokumente, duke e quajtur atë një “shkelje të dinjitetit”, dhe duke akuzuar zëvendës-presidentin JD Vance për keqpërdorim të një termi të panjohur teologjik. Uashingtoni reagoi me zemërim të parashikueshëm, por Selia e Shenjtë nuk u zmbraps.
Ky ishte një veprim tipik i Françeskut: impulsiv, instinktivisht mbrojtës i të varfërve dhe të pambrojturve, dhe për fat të mirë pa shumë zhargon teologjik. Por ishte gjithashtu ilustrues i gatishmërisë së Papës për të braktisur mirësjelljet diplomatike dhe për të marrë një qëndrim përçarës dhe të hapur në një kohë fragmentimi gjithnjë e më të madh.
Françesku, i cili vdiq të hënën e Pashkëve në moshën 88 vjeçare, lë pas një trashëgimi komplekse. Ai u zgjodh në vitin 2013 me një mandat për të pastruar Kishën, pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen papritur pas skandalit të ashtuquajtur “Vatileaks.” Si pontifiku i parë latin-amerikan dhe jezuit, ai ishte gjithashtu i pari që përdori emrin Françesk, në referencë ndaj Françeskut të Asizit, mbrojtësit të varfërve në shekullin e 13-të. Por ai largohet nga një institucion i cili, edhe pse në pamje të jashtme angazhohet për të mbrojtur të shtypurit dhe të margjinalizuarit, ka bërë përpjekje të pamjaftueshme për të adresuar dështimet e veta, që nga abuzimi i priftërinjve deri te keqpërdorimi i financave të Vatikanit.
Jorge Mario Bergoglio lindi në vitin 1936 në Buenos Aires, nga emigrantë italianë: Mario, punëtor hekurudhash, dhe Regina, shtëpiake. I njohur si inteligjent, çapkën dhe i apasionuar pas futbollit, ai punoi për periudha të shkurtra si roje nate në klube dhe pastrues, përpara se të studionte kimi dhe më pas të punonte si teknik laboratori në një laborator ushqimor. Një pneumoni e rëndë bëri që në vitin 1957 t’i hiqej pjesërisht një mushkëri. Menjëherë pas kësaj, ai iu bashkua jezuitëve, pas një vizite që e frymëzoi te një prift lokal.
Bergoglio fillimisht u përpoq të pajtonte vokacionin e tij me instinktet më të zakonshme civile, duke rrëfyer më vonë se ishte “i magjepsur” nga një grua e re që e kishte takuar gjatë kohës së seminarit. Megjithatë, ai ngjiti shpejt shkallët e hierarkisë së Kishës Argjentinase, duke fituar reputacion për zemërgjerësi dhe duke marrë pseudonimin “peshkopi i lagjeve të varfra” për shkak se dyfishoi numrin e priftërinjve në lagjet e varfra të Buenos Airesit.
Por ai ishte tashmë një figurë përçarëse: gjatë “luftës së pistë” të përgjakshme të juntës kundër kundërshtarëve të saj në vitet 1970, Bergoglio, atëherë udhëheqës i jezuitëve të fuqishëm të Argjentinës, u akuzua për heshtje bashkëpunuese kur ushtria rrëmbeu klerikë disidentë që ishin nën autoritetin e tij. Të tjerë, megjithatë, pretenduan se ai u përpoq t’i mbronte vartësit e tij.
Në Qytetin e Përjetshëm
Françesku kaloi në personalitetin e tij tashmë të njohur të përulësisë dhe thjeshtësisë kur u emërua kardinal nga Papa Gjon Pali II në vitin 2001, duke krijuar një emër si njeri që shmangte ekstravagancën e priftërinjve, jetonte modestisht dhe përdorte transportin publik. Pas dorëheqjes së Benediktit XVI, ai dukej se mishëronte idealet e reformistëve në një Kishë që kishte dëshpërimisht nevojë për ndryshim, duke u bërë papa i parë nga jashtë Europës që nga Papa sirian Gregori III në shekullin e tetë.
Papati i tij shënoi një shkëputje nga stili i largët dhe akademik i Benediktit. Ai drejtoi një përpjekje që Kisha të ngjante më shumë me një “spital të përkohshëm,” duke i dhënë prioritet nevojtarëve dhe duke minimizuar rëndësinë e seksualitetit. “Kush jam unë që të gjykoj,” u tha ai gazetarëve në mënyrë të famshme në vitin 2013 kur u pyet nëse një person homoseksual mund të bëhej prift.
Ai mesazh, i dhënë me një stil karakteristik sfidues, shënoi fillimin e përpjekjes shumëvjeçare të Françeskut për të realizuar ambiciet progresiste të Këshillit të Dytë të Vatikanit, konsultës globale të viteve 1960 që kërkonte të përafronte Kishën me revolucionet liberale të asaj epoke. Që nga fillimi, ai përcolli një mesazh tolerance, mbrojti migrantët dhe kritikoi ashpër eksesin kapitalist, ndërsa u përpoq të balancojë këtë agjendë me konservatorizmin e grupeve katolike në rritje të shpejtë në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine.
Në një farë mase, Françesku arriti të godiste strukturën mijëravjeçare të Kishës, duke hapur zyra të larta të Vatikanit për gratë dhe laikët.
Por në pjesën më të madhe, këto përpjekje kaotike vetëm i irrituan konservatorët dhe i zhgënjyen liberalët. Për shembull, ai ruajti pengesat ndaj priftërinjve femra dhe u detyrua të zbusë një deklaratë historike për bekimet e çifteve të të njëjtit seks nën presionin e peshkopëve afrikanë të revoltuar.
Françesku ishte përçarës edhe në skenën ndërkombëtare. Ai fitoi admirimin e ndjekësve në Jugun Global dhe zemërimin e mbështetësve në Perëndim me thirrjet e tij urgjente për paqe në Ukrainë, heshtjen mbi shtypjen kineze të pakicave fetare dhe dënimet e ashpra ndaj pushtimit të Gazës nga Izraeli, duke reflektuar një botëkuptim kompleks, të formuar në Argjentinën peroniste të majtë. Stili i tij drejtues mund të ishte gjithashtu i paparashikueshëm; ai anullonte planet pasi u zbulonin nga gazetarët dhe hiqte dorë nga premtimet.
Të gjitha këto ndihmuan në ushqimin e një fraksioni gjithnjë e më radikal konservator, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësi de facto i opozitës ndaj Françeskut ishte ultra-konservatori kardinal Raymond Burke, i njohur për veshjen qesharake dhe ekstravagante, ndërsa ankohej se Kisha Katolike është “shumë e feminizuar”. Burke u përplas vazhdimisht me Françeskun për agjendën e tij që ai e quante woke, me një mosmarrëveshje veçanërisht të çuditshme që lidhej me furnizimin e supozuar të prezervativëve në Mianmar nga Urdhri i Kalorësve të Maltës. Sulmet e Burke vazhduan pa pushim për vite. Ai kundërshtoi nismën e Papës për të hequr ndalimin e kishës mbi kungimin për të divorcuarit e rimartuar dhe u zemërua nga goditja që Françesku i bëri meshës latine. Papa iu përgjigj duke e margjinalizuar në heshtje Burke-un, duke ia hequr në fund edhe të drejtën e apartamentit të subvencionuar nga Vatikani.
Në fakt, Françesku nuk ishte aspak i turpshëm, dhe imazhi i tij babaxhan fshihte një talent për të nxitur kundërshtarët kundër njëri-tjetrit, duke i kapur në kurthe kur ata më pak e prisnin. Në mënyrë më të zakonshme, ai pëlqente t’i fyente ata, madje duke thënë se kritikët e tij konservatorë mendjemëdhenj janë mendërisht të paqëndrueshëm.
Ndërkohë, kundërshtarët e tij konservatorë e përdorën Benediktin si totem të vlerave të tyre sa ishte gjallë ai. Ata pretendonin se froni i Pjetrit ishte vakant gjatë sundimit të Françeskut, madje disa prej tyre e quajtën atë “antikrisht”.
Ata u ndihmuan nga gabimet e vetë Françeskut, përfshirë përpjekjet e tij jo të qëndrueshme për të pastruar financat e Vatikanit. Në vitin 2017, një auditor kryesor u shkarkua në mënyrë të mistershme, çka çoi në një investim të dështuar në prona në Londër dhe dënimin e ish-kardinalit Angelo Becciu. Françesku u takua privatisht me Becciu-n gjatë kohës që gjyqi ishte në zhvillim e sipër, duke ngritur pikëpyetje rreth gjykimit të tij.
Mënyra se si ai trajtoi akuzat për abuzime kundër bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ngriti çështje të ngjashme. Papa u pa sikur po mbronte dhe madje po ngrinte në pozitë miq të ngushtë që akuzoheshin për sjellje serioze të papërshtatshme seksuale. Këtu përfshihej prifti jezuit dhe artisti i mozaikëve Marko Rupnik, veprat e zhurmshme artistike të të cilit u porositën përsëri nga Vatikani edhe pasi dolën akuza për përdhunim.
Inkonsistenca mund të ketë qenë tipari përcaktues i sundimit të këtij pape. Në vend që të reformonte Kishën, ai kryesisht ka lënë pas kaos, dhe një moçal teologjik, për këdo që do ta pasojë.
Ndërsa konservatorët tani mprehin thikat, kjo betejë duket se do të jetë e vështirë.
Nga njëra anë, Françesku e riformësoi në mënyrë dramatike shtrirjen gjeografike të elitës klerikale përgjatë viteve, duke emëruar 110 nga 138 kardinalët që do të jenë të pranueshëm për të zgjedhur pasardhësin e tij, shumë prej tyre nga jashtë Europës. Por njohësit brenda Romës paralajmërojnë se kjo nuk është garanci për mbështetjen e tyre ndaj vizionit të tij pasi ai të mos jetë më; aleancat e Vatikanit rrallë mbijetojnë kalimin te një papë i ri.
Megjithatë, pjesa më e madhe e dramës rreth papatit të tij ka qenë elitare: Në kohën e vdekjes, ai gëzonte nivele miratimi mes 1.4 miliardë besimtarëve në botë që do të ishin për t’u patur zili nga shumica e politikanëve.
Politico, përshtati në shqip ©LAPSI.AL