Nga një takim elektoral në Vlorë, Agron Shehaj ka sulmuar sondazhet e publikuara ditët e fundit, duke thënë se janë të porositura.
Sipas Shehajt, dora që fshihet pas manipulimit të tyre është Partia Socialiste.
“Në tre ditë nxorën ca sondazhe që kishin dy gjëra të përbashkëta. E para është që PS ka shumicën e votave, dhe e dyta që Partia Mundësia nuk është parti që do nxjerri deputet në Parlamentin e ardhshëm. Ju e kuptoni që kjo ka zero lidhje me realitetin.
Janë vërsulur duke nxjerrë sondazhe që nuk kanë lidhje me mbështetjen që ne kemi. Na janë vërsulur me analistë dhe opinionistë që thonë se ndryshimi nuk mund të vijë se asnjë parti re nuk ia ka dalë. Mentalitet i vjetër dhe jashtë logjike”, u shpreh kreu i Mundësisë.
Agron Shehaj deklaroi se Partia Mundësia do t’ japë Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, dhe 11 Maji është fillimi për të bërë këtë ndryshim.
Ai u shpreh se Partia Mundësia është ambicioze dhe ndryshimi do të vijë nga Vlora, ku forca e tij politike synon të jetë parti e dytë në këtë qark, duke marrë minimalisht 2 mandate.
“Kur unë fillova biznesin, të gjithë më thoshin se isha shumë ambicioz, por tani që mendoj momentet e fillimit, duhet të isha shumë më ambicioz. Këtë më thonë edhe tani në politikë. Thonë që duam të hyjmë në Parlament pa ndihmën e PD apo PS.
Po kur t’ju them që do t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, çfarë do thonë? Që jam çmendur? Vend më të mirë për të folur për fillimin, nuk mund të kishte, veç se Vlora.
Atë që të gjithë e dinë, të gjithë do ta marrin vesh në 11 Maj. Ndryshimi do vijë nga Vlora dhe do jetë ndryshim i madh. Ne mund të bëjmë historinë e Shqipërisë pikërisht duke filluar nga Vlora, sepse në Vlorë i kemi të gjitha mundësitë për të qenë forcë e dytë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Shehaj.