Chris LaCivita i është përgjigjur nga studio e emisionit Opinion, ironive të kryeministrit Edi Rama ndaj tij, duke thënë se ka ardhur tek PD vetëm për të “fituar ca para”.
Përgjigja e LaCivita ka qenë me akuza, duke u shprehur se kreu i qeverisë bën ironi të tilla pasi nuk mbulon dot dështimin e qeverisë së tij prej 12 vitesh.
Po ashtu, LaCivita thotë se nuk përfaqëson SHBA, por thekson se kurrë nuk do të punonte kundër agjendës së administratës Trump.
Pjesë nga intervista
Fevziu: Ka qenë vetë Kryeministri që tha se keni ardhur për të fituar ca para e më pas do të ktheni në Shtetet e Bashkuara.
LaCivita: Edi Rama e thotë këtë gjë sepse nuk mbron dot 12 vitet e fundit si Kryeministër që ka shkartuar çdo gjë. Nuk ka asgjë për të folur përveç se dështimeve të tij.
Fevziu: Do ju pyes pyetjen e dytë të ndjeshme. A keni folur me administratën amerikane për praninë tuaj këtu?
LaCivita: Jo. Nuk përfaqësoj Shtetet e Bashkuara. Jam një individ privat. Nuk punoj për qeverinë. Janë në dijeni. Kurrë nuk do të punoja kundër agjendës së Presidentit nëpër botë. Por nuk kam nevojë për lejen e ndokujt për të bërë atë që jam duke bërë. Jam këtu për një pikëpamje politike. Angazhimi im dhe aftësitë e mija që të sigurohemi që partia demokratike do të fitojë.
Fevziu: Nëse do të përballeshit me Edi Ramën, çfarë do të thonit?
LaCivita: Gjëja e parë që do ti thosha është që Shqipëria është një shtet shumë i bukur dhe do e përshëndesja. Është politikan, kam respekt për krerët e shteteve, edhe ju duhet të keni. Kaq mendoj.
Fevziu: Zoti LaCivita, cila është marrëdhënia juaj me administratën e re të Shteteve të Bashkuara?
LaCivita: Shikoni, kam shumë miq aty dhe ka qenë kënaqësi të jem pjesë e një fushate historike si ajo në Amerikë. Një prej gjërave të mira të kësaj fushate ishte se takova dhe krijova shumë miqësi të reja me kaq shumë njerëz të mirë të cilët vërtet duan të bëjnë ndryshim në jetët e njerëzve. Ka qenë shumë e bukur.
Fevziu: Po marrëdhënia juaj me Presidentin Trump?
LaCivita: Është shumë e mirë.
Fevziu: Shumë e mirë?
LaCivita: Po.
Fevziu: Prej sa kohësh e njihni?
LaCivita: 3 vitet e fundit i kalova duke punuar për Presidentin Trump. E ndihmova…
Fevziu: Keni punuar ngushtë me të?
LaCivita: Gjatë fushatës gjatë këtyre 3 viteve të fundit kam qenë bashkëmenaxheri i fushatës, ka qenë Susie Wiles dhe unë. Çdo ditë fluturonim në të njëjtin avion me Presidentin.
Fevziu: Së bashku me Presidentin.
LaCivita: Çdo ditë.
Fevziu: Si është Trump-i? Jo, si president. Si një zotëri jashtë kamerave…
LaCivita: Është i njëjtë.
Fevziu: Është i njëjtë?
LaCivita: Është i njëjtë. Ka një sens humori shumë të mirë. Është shumë i motivuar dhe i vendosur. Gjithmonë çuditesha nga energjia e tij e pastër që gjithmonë ka pasur Presidenti. Në fund të një dite 18 orëshe ajo që unë doja të bëja ishte të shkoja te avioni e të flija, të dremisja, ndërkohë ai bënte telefonata e fliste me njerëz.
Fevziu: Është kaq energjik?
LaCivita: Është shumë energjik! Është jashtëzakonisht shumë energjik. Është i pareshtur. Po ashtu, Presidenti Trump është në nxitim. Është shumë në nxitim që ti bëj gjërat…
Fevziu: Megjithatë ai nuk është Presidenti i zakonshëm. Është President i pazakontë. Kështu ka qenë që prej 2016…
LaCivita: Është krejtësisht ndryshe.
Fevziu: Krejtësisht ndryshe? Pse?
LaCivita: Sepse ai i shikon gjërat nga një perspektiv tjetër ngaqë nuk ka dal nga një sistem politik.
Fevziu: Vjen nga jashtë.
LaCivita: Vjen nga jashtë. Qytetarët amerikan e shikojnë Donald Trump-in dhe…
Fevziu: Edhe Obama në një farë mënyre vinte nga jashtë sistemit politik.
LaCivita: Barack Obama ka qenë po ashtu senator në Ilinois dhe u bë ai që u bë duke kaluar procesin. Megjithatë Obama kishte një vizion dhe kishte ndjekës. Donald Trump ka një vizion dhe ka ndjekës. Agjenda e tij vendos në krye Amerikën. Po ashtu ama dëshiron që ti jap një fund shumë problemeve të ndryshme nëpër botë po ashtu.
Fevziu: Kur e kam ndjekur në televizor dhe nëpër deklarata të ndryshme që ka bërë, përshtypja ime e parë ka qenë se puna më e vështirë në botë është të merresh me marrëdhëniet me publikun të Trump-it. Është e vërtetë?
LaCivita: Jo, nuk është e vërtetë. E dini pse?
Fevziu: Më thoni. Është sekret?
LaCivita: Sepse e bën vetë Donald Trump-i.
Fevziu: Ndonjëherë, konsultohet me ju..?
LaCivita: Sigurisht…
Fevziu: Cili do të jetë roli juaj në këtë fushatën zgjedhore gjatë këtyre 30 ditëve?
LaCivita: Këshilloj kandidatët. Flas me doktor Berishën. Diskutojmë për strategjinë, diskutojmë për mesazhin dhe rëndësinë e mesazhit dhe rëndësinë e të qenit aktiv në terren e të folurit me votuesit në mënyrë që të sigurohesh që njerëzit do të votojnë. Në Shtetet e Bashkuara, Edi Rama dilte dhe i thoshte njerëzve që mos të votonin. E bën diçka të tillë sepse nuk e përballon dot votën e qytetarëve. Po përpiqemi që ti inkurajojmë njerëzit që të shkojnë të votojnë sepse ndjejmë që kjo do të ndihmoj doktor Berishën.
Fevziu: Stafi juaj është këtu? Do të qëndroj këtu gjatë fushatës zgjedhore?
LaCivita: Do të vij e do të iki…
Fevziu: Jo ju, por stafi juaj…
LaCivita: Unë do të vij e do të iki e do të vij sërish. Është një vend shumë i bukur, më duhet ta them…
Fevziu: Sidomos kur ka ditë me diell…
LaCivita: Është shumë e vërtetë…
Fevziu: Por ju nuk keni vizituar asgjë nga Shqipëria përveç Tiranës…
LaCivita: Saktë. Mezi po pres që të dal.
Fevziu: Duhet të jeni një turist i vërtetë siç tha Kryeministri… Por ndoshta pas zgjedhjeve…
LaCivita: Do të jem një turist i vërtetë pasi të fitojë doktor Berisha.
Fevziu: Pas fitores… Cila është pika më e dobët e Partisë Demokratike gjatë kësaj fushate zgjedhore? Sepse Partia Demokratike po del nga një luftë e ashpër brenda saj që ka zgjatur nga 2021 e deri më tani. Cila është pika më e dobët e Partisë Demokratike në këto zgjedhje? ….. Sepse strategët asnjëherë nuk flasin për këtë gjë…
LaCivita: Asnjëherë nuk flas për këtë gjë. Një prej gjërave që më ka bërë përshtypje është fakti që efektivisht bëhet fjalë një koalicion të ri. Megjithatë është një koalicion shumë i unifikuar dhe shumë i fokusuar tek gjërat që do të arrij. Mendoj se kjo është shumë e mirë. Çdo gjë që është e mirë dhe që mund të bëj gjëra, qoftë kjo në politik apo në qeverisje, kërkon pak kohë që rregullohet megjithatë kanë bërë një punë vërtetë shumë të mirë këtu.
Fevziu: Sipas sondazheve që ju keni, cili është problemi më i madh me të cilin përballen shqiptarët?
LaCivita: Ekonomia.
Fevziu: Ekonomia?
LaCivita: Ekonomia. Mundësitë ekonomike, punët, qëndrueshmëria ekonomike, kostoja e jetesës, të gjitha këto janë pjesë e ekonomisë.
Fevziu: Pse mendoni se Berisha dhe ekipi i tij do ta zgjidhin këtë problem të Shqipërisë?
LaCivita: Mendoj se kanë një program shumë solid. Jo vetëm që flasim për pagën minimale, flasim për minimum jetik, flasim për vëmendjen që duhet kushtuar në mënyrë që familjet shqiptare të mos copëtohen ngaqë të rinjtë largohen duke shkuar në Itali, në Shtetet e Bashkuara apo në Greqi për të gjetur punë. Mund të qëndrojnë këtu. Familja është shumë e rëndësishme. Të siguruarit që familja do të qëndroj së bashku. Edhe një herë, ka të bëj me ofrimin e shpresës dhe mundësive dhe votuesit e rinj… votuesit e ri në Shqipëri kanë një mundësi shumë të mirë për të vendosur të ardhmen e tyre e si kanë për të ecur gjërat. Më kanë lënë shumë mbresa.
Fevziu: Në këto zgjedhje do të kemi një element të ri, votën e diasporës. Deri më tani janë diku te 250 mijë njerëz të cilët janë regjistruar për të votuar…
LaCivita: Nga jashtë Shqipërisë…
Fevziu: Jashtë Shqipërisë. Mundet që ky numër njerëzish të ndryshoj pushtetin në Shqipëri?
LaCivita: Patjetër.
Fevziu: Kështu mendoni?
LaCivita: Janë mjaftueshëm vota. Dua të them që janë shumë njerëz.
Fevziu: Është çereku i parlamentit pak a shumë.
LaCivita: Po, janë shumë vota. Mendoj që angazhimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Është atdheu i tyre dhe janë ende qytetarë. Është shumë e rëndësishme që në shtetet demokratike njerëzit të ushtrojnë të drejtën e tyre, të drejtën e dhënë nga Zoti për të votuar. Përndryshe nuk bëhet fjalë për demokraci po për diktaturë.
Fevziu: Sipas sondazheve të publikuar në mediat shqiptare, është përpara me më shumë se 10% nga Partia Demokratike. Çfarë mendoni? Si mund ta përmbysni këtë diferencë të madhe midis dy partive?
LaCivita: Si fillim, këto sondazhe nuk janë të vërteta.
Fevziu: Pse mendoni që nuk janë të vërteta?
LaCivita: Kam 35 vite përvoje politike në të gjithë botën dhe sondazhet mediatike…
Fevziu: Nuk besoni tek sondazhet e mediave?
LaCivita: Sigurisht që jo. Jo nuk besoj. Ka pasur kam shumë sondazhe që tregonin që Donald Trump-i nuk do të fitonte. E kam jetuar, e kam parë, e kam përjetuar. Të gjitha sondazhet tregonin që Donald Trump do të humbiste me 8-10%. Të vetmet sondazhe që ne besojmë janë ato për të cilat ne paguajmë. Sigurisht që nuk mbështetemi te media…
Fevziu: Por ju keni sondazhet tuaja…
LaCivita: Kemi dhe nuk flas për to.
Fevziu: Po, patjetër. Nga ana tjetër ama, në 3 zgjedhjet e fundit Rama merr të njëjtën numër votash, diku te 800 mijë, 820 mijë ose 800 mijë vota.
LaCivita: Do të shohim.
Fevziu: Ky është një fillim i mbarë për të. Si mundet që Partia Demokratike të shkatërroj numrin kaq të madh të votave të Edi Ramës?
LaCivita: Siç ju thash nuk besoj në këto sondazhe por…
Fevziu: Nuk janë sondazhe, janë realiteti i zgjedhjeve të fundit…
LaCivita: Realiteti i zgjedhjeve të kaluara… Mënyra është shumë e thjeshtë. Është shumë e thjeshtë. Ka të bëj me përcaktimin e këtyre 12 viteve të fundit. Ka të bëj me përcaktimin e dështimeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Jo vetëm te korrupsioni por edhe te mënyra se ku e ka çuar ekonominë, e cila është shumë e paqëndrueshme. Njerëzit nuk ndihen shumë mirë për të ardhmen e tyre dhe ka të bëj jo vetëm me të folurit se çfarë është por po ashtu me të ofruarin e mundësisë për ti rregulluar gjërat. Doktor Berisha ka në plan ti bëj të dyja.
Fevziu: Megjithatë kemi 2 probleme këtu. Numri i njerëzve të cilët janë kundër Ramës janë më shumë se 50% të votuesve, diku te 52-53% sipas zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, njerëzit që votojnë për opozitën e sidomos për Partinë Demokratike është gjysma e këtyre njerëzve. Pse ekziston ky hendek midis atyre nuk e kanë qejf Ramën dhe atyre që votojnë opozitën?
LaCivita: Sistemi me partitë dhe sistemi në vetvete është një prej truqeve të zgjedhjeve parlamentare. I bën gjërat pak të vështira. Megjithatë unë mendoj se duke i motivuar njerëzit të votojnë jo vetëm për të ndryshuar por po ashtu për një ardhme më të mirë, është një arsye shumë e mirë motivuese dhe do e sjellë Partinë Demokratike, aty ku duhet të jetë, te fitorja.
Fevziu: Ka shumë njerëz që mendojnë se Rama punon shumë keq, etj, por nga ana tjetër Berisha është 81 vjeç, 20 vite më i madh se Rama, e ka mbyllur ciklin e tij 1991 në 2013. Pse të votosh për dikë që është 80 vjeç në krahasim me dikë që është 61 vjeç?
LaCivita: Doktor Berisha ka më shumë energji dhe gjallëri se Edi Rama që rri ulur dhe shikon ekranin e kompjuterit dhe flet para kompjuterit të tij gjatë gjithë ditës. Ndërkohë që doktor Berisha është vazhdimisht rrugës duke u takuar me qytetar dhe duke u angazhuar me to. Sinqerisht, gjithë ajo eksperiencë që ai mbart ndryshon gjithçka. Po ashtu mendoj se zgjedhjet kanë të bëjnë me atë që ka politikat më të mira për të ardhmen. Qartazi, këto janë të doktor Berishës. /Opinion.al