Sudani, një shtet në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.
Njohja nga Sudani është e dyta për brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.
Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.
Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Serbia e dënoi vendimin e Kenias për ta njohur Kosovën dhe tha se ai mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.
Një ekspert kishte paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë në fund të marsit se njohja nga Kenia do të nxiste edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.
Gëzim Visoka, autor i librit “Çnjohja e shteteve”, tha për REL-in më 29 mars se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.
“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka asokohe.
Sudani e njohu Kosovën rreth tri javë më vonë.
Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, parashikoi se Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte shprehur druajtjen e tij se njohja nga Kenia mund të nxiste një trend të njohjeve të Kosovës./ REL