Sot në Kosovë do të mbahet seanca e gjashtë për konstituimin e Kuvendit. Seanca pritet të nis në orën 11:00.
Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit. Albulena Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Edhe në seancën e pestë Haxhiu dështoi të zgjidhet, duke marrë të njëjtin numër votash si në dy përpjekjet e kaluara, 57 pro nga 61 të domosdoshme, ndërsa kundër saj votuan 46 deputetët dhe abstenuan 3 deputetët e Nisma të Fatmir Limajt. Kështu Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit sërish arriti të merrte vetëm vota nga komunitetit, ndërsa kundër qëndruan PDK, LDK dhe AAK. Deputetët nga Lista Serbe nuk morën pjesë në votim.
Konstituimi i Kuvendit arrihet vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët dhe është i nevojshëm për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë së re./ REL