Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nën administratën e Donald Trump po realizon një ristrukturim të thellë të pranisë diplomatike amerikane, duke planifikuar mbylljen e afërsisht 30 ambasadave dhe konsullatave në disa shtete të ndryshme, sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit të Shtetit, i cili është publikuar në mediat amerikane.
Ky plan përfshin mbylljen e ambasadave në Maltë, Luksemburg, Lesotho, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore, dhe Sudanin e Jugut, si dhe reduktimin e pranisë diplomatike në shumë shtete të tjera.
Po ashtu, dokumenti propozon mbylljen e pesë konsullatave në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe nga një në Mbretërinë e Bashkuar, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut. Ky ndryshim është pjesë e një plani më të gjerë që përfshin reduktimin e shpenzimeve dhe një ristrukturim të thellë të misioneve diplomatike amerikane.
Për më tepër, dokumenti sugjeron zvogëlimin e pranisë diplomatike amerikane në dy shtete kyçe për politikën e SHBA-së kundër terrorizmit, Irak dhe Somalian, si dhe një “ridimensionim” të misioneve të tjera diplomatike. Ky plan ka ngritur shqetësime në qarqe të ndryshme, pasi këto mbyllje mund të ndikojnë në efektivitetin dhe aftësinë e SHBA-së për të menaxhuar krizën ndërkombëtare dhe për të mbështetur aleatët.
Ndryshimet e propozuara janë pjesë e një iniciative më të gjerë të administratës Trump për të ridizajnuar qeverinë amerikane. Plani i miratuar nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), një organ i krijuar nga Elon Musk, synon të “thjeshtojë strukturat burokratike të qeverisë federale për të rritur efikasitetin dhe për të ulur kostot.
Aktualisht, nuk dihet nëse propozimet kanë marrë miratimin e ministrit të Jashtëm, Marco Rubio, i cili mund të luajë një rol kyç në implementimin e këtyre ndryshimeve. Departamenti i Shtetit nuk është përgjigjur ende.