Donald Trump akuzon Volodymyr Zelensky se ka dëmtuar negociatat e paqes për luftën në Ukrainë me “deklarata nxitëse”. Presidenti ukrainas tha në një konferencë shtypi të martën se Kievi nuk do të njohë kontrollin rus të Krimesë, komente për të cilat Trump tha se “nuk do të bëjnë asgjë tjetër veçse do të zgjasin” konfliktin.
Kritikat e presidentit amerikan në platformën e tij të mediave sociale “Truth Social” erdhën pasi Zv.presidenti JD Vance tha se SHBA do të “largohej” nga roli i saj negociator nëse të dy palët nuk arrinin në një marrëveshje. Zyrtarët amerikanë u tërhoqën nga një takim në Londër këtë javë për t’u fokusuar me bisedimet në Moskë, pasi ritmi i diplomacisë për t’i dhënë fund luftës është përshpejtuar.
Një pjesë kyçe e propozimit të SHBA-së për t’i dhënë fund konfliktit, sipas lajmeve të ditëve të fundit, përfshin njohjen e Krimesë – e cila u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 – si territor “de jure” rus. “Nuk ka asgjë për të folur këtu. Kjo është kundër kushtetutës sonë” – tha Zelensky. Në përgjigje të tij, Trump tha: “Kjo deklaratë është shumë e dëmshme për negociatat e paqes me Rusinë”, duke shtuar se do të zgjaste “vrasjet”. “Janë deklarata nxitëse si ato të Zelenskyt që e bëjnë kaq të vështirë zgjidhjen e kësaj lufte”, – tha Trump.
“Ndalimi i vrasjeve është detyra numër një”, tha Zelensky në mediat sociale të mërkurën.
Trump tha në mënyrë të përsëritur gjatë fushatës se ai mund t’i jepte fund luftës Ukrainë-Rusi brenda një dite, por ndërsa po i afrohet ditës së 100-të të tij në detyrë, edhe një armëpushim mbetet i paarritshëm dhe që duket se ka shteruar durimin e Shtëpisë së Bardhë. Vance u tha gazetarëve këtë javë gjatë një vizite në Indi: “Është koha që ata ose të thonë “po” ose SHBA largohen nga ky proces.” “Ne jemi angazhuar në një sasi të jashtëzakonshme të diplomacisë, të punës në terren”, – tha ai.
Vance tha se një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës ka të ngjarë të kërkojë që të dy vendet “të duhet të heqin dorë nga një pjesë e territorit që zotërojnë aktualisht”. Bisedimet në Londër midis zyrtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Ukraina dhe SHBA-ja që synonin të siguronin një armëpushim u ulën këtë javë pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Witkoff u tërhoqën. Në vend të kësaj, i dërguari i Trump për Ukrainën, Gjenerali Keith Kellogg, po merr pjesë në bisedimet në Londër dhe Ëitkoff do të shkojë në Rusi për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin për herë të katërt.
Diplomatët britanikë thanë se nuk ishin plotësisht të qartë pse Rubio dhe Ëitkoff ishin tërhequr nga bisedimet në Londër. Departamenti Amerikan i Shtetit fajësoi arsye logjistike, por ishte e qartë se vendimi ishte në minutën e fundit dhe e la Ministrinë e Jashtme Britanike në dilemë.
Ka spekulime në rritje se Rusia mund të jetë e gatshme të ndalojë pushtimin e saj përgjatë vijave aktuale të frontit në këmbim të lëshimeve të rëndësishme. Megjithatë, ka pak qartësi se ku po shkojnë bisedimet e fundit ose nëse ato do të kenë sukses. Rusia intensifikoi sulmet e saj ndaj Ukrainës të mërkurën, pas një qetësie të shkurtër gjatë Pashkëve kur ndaloi sulmet ajrore. 9 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në qytetin lindor të Ukrainës, Marhanets, kur një dron rus goditi një autobus që transportonte punëtorë.
E gjithë kjo vjen në kur një lajm në Financial Times zbuloi se Rusia mund të jetë gati të ndalojë pushtimin e saj përgjatë vijave të frontit ekzistues dhe të heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj zonave që nuk i ka aktualisht, në këmbim të njohjes së sovranitetit rus mbi Krimenë nga SHBA. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e hodhi poshtë lajmin, duke i thënë medias shtetërore se “shumë falsifikime publikohen në ditët e sotme”. Zelensky tha se asnjë propozim i tillë nuk ishte ndarë me të dhe ai refuzoi njohjen e Krimesë si territor rus.
Njohja e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia jo vetëm që do të ishte politikisht e pamundur që Zelensky ta pranonte, por do të ishte gjithashtu në kundërshtim me normat ligjore ndërkombëtare të pasluftës që kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Duke folur për programin Today të BBC Radio 4, Yuriy Sak, një këshilltar i ministrisë së industrive strategjike të Ukrainës, tha se ishte “joproduktive të diskutohen” lajme të tilla dhe shtoi se ishte “naive” të pritet që Ukraina të ndryshojë pozicionin e saj për çështje “të panegociueshme” si Krimea.
Sak shtoi se negociatorët ukrainas do të marrin pjesë në takimin e Londrës me një “mandat shumë të qartë dhe të ngushtë” për të arritur një armëpushim që “do të hapë rrugën për bisedime të mëtejshme”. LAJME24