Është gjetur trupi i pajetë i Ajet Lleshit, një 27-vjeçar nga fshati Kishaj i Hasit, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites së së dielës, kur zona u përfshi nga reshje të pazakonta dhe të dendura bore.
I riu ishte nisur në mëngjesin e së dielës drejt malit të Pashtrikut për të prerë dru, por familjarët humbën kontaktet me të rreth orës 17:00. Pas orëve të para të ankthit, babai dhe tre xhaxhallarët e tij dolën në kërkim, duke u shpërndarë në drejtime të ndryshme të malit.
Pas njoftimit, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të zonës, nisën menjëherë kërkimet në një terren të vështirë dhe të mbuluar nga dëbora.
Në ndihmë u angazhua edhe një helikopter i Forcave të Armatosura, i cili patrulloi nga ajri për disa orë, por pa mundur të lokalizojë 27-vjeçarin.
Fatkeqësisht, pasdite është konfirmuar se Ajeti është gjetur pa shenja jete, duke tronditur të afërmit dhe komunitetin e vogël të Kishajt, që për orë të tëra jetoi me shpresën se ai do të kthehej i gjallë nga mali.