Policia e Durrësit ka reaguar pas denoncimit të rrjetet sociale të kreut të “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj se kandidatja për deputete të këtij subjekti në qarkun Durrës Valbona Myhedin është kërcënuar me armë nga një person gjatë një takimi.
Përmes një njoftimi për mediat policia bën me dije shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe më tej lokalizimin dhe kapjen e personit që u denoncua se kishte kërcënuar me armë Myhedin.
Ai është shtetasi A.B, 45 vjeç i cili “nga verifikimet e kryera rezulton se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik” dhe arma e përdorur është pistoletë lodër.
“Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases V.M për të kërcënuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij”, – deklaron policia. /LAJME24