Sylvinho pritet të luajë me të njëjtin formacion, si me Çekinë ose të ketë ndonjë ndryshim të vogël ndaj Polonisë sot në mbrëmje. Duket se titullarët kanë bindur me lojën e tyre dhe gëzojnë besimin e trajnerit të Kombëtares.
Berisha mendohet të jetë sërish në portë. Në mbrojtje priten Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, por në vend të këtij të fundit mund të jetë edhe Balliu.
Në mesfushë parashikohet një grup lojtarësh nga ekipet e Serie A, Ramadani, Asllani dhe Bajrami. Sulmi mendohet të ketë Cikalleshin në majë i ndihmuar nga krahët nga Asani dhe Seferi, por mund të shikojmë edhe Uzunin nga minuta e parë.
Sylvinho ka mbajtur të njëjtë titullarët në takimet me Ishujt Faroe dhe Çekinë, por vetë trajneri ka thënë gjithmonë se në fushë do të jenë ata që gëzojnë formën më të mirë.
Takimi ka shumë rëndësi për ecurinë e Kombëtares dhe sot do të ketë edhe një mbështetje të madhe të tifozëve në stadiumin “Air Albania”.
Për ata që nuk do të jenë në stadium, përballjen kualifikuese të Euro 2024 mes Shqipërisë dhe Polonisë do ta përcjellë direkt TV Klan.