Biznesmeni Shkëlqim Fusha është paraqitur sot në SPAK, ndërsa ende nuk janë bërë publike arsyet e thirrjes. Fusha, një nga përfituesit kryesorë të tenderëve të Bashkisë Tiranë, është lidhur në hetimet për lejet e ndërtimit të firmosura nga Erion Veliaj, përfshirë një leje në Yrshek për kompaninë ‘Fusha Shpk’.
Sipas SPAK, pas dhënies së këtyre lejeve, kompania e Fushës ka transferuar shuma të mëdha parash tek dy avokate të lidhura me Ajola Xoxën, bashkëshortja e Veliajt, të cilat më pas kanë kaluar fondet në llogarinë e OJF-së ‘Harabel’, që kontrollohet prej saj. Paratë dyshohet se janë përdorur për qiratë dhe shpenzimet personale të Xoxës, përmes kontratave fiktive dhe sponsorizimeve të pa deklaruara.
Prokuroria po heton për korrupsion aktiv dhe pasiv, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, duke e konsideruar skemën si një rrjet të mirëorganizuar klientelizmi për përfitime të paligjshme nga fondet publike.