Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër, pasi akuzohen për shfrytëzimin e një 26-vjeçareje për prostitucion, ndërkohë që dy të tjerë janë proceduar për moskallëzim krimi.
Operacioni i koduar “Last Night” u zhvillua nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, pas hetimeve të thelluara dhe informacionit të siguruar nga inteligjenca policore.
Ky operacion çoi në arrestimin e dy shtetasve, R. L., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe K. D., 31 vjeç, banues në Grabjan, Divjakë, të cilët akuzohen se shfrytëzonin një 26-vjeçare nga Berati për prostitucion, e cila e ushtronte këtë aktivitet në disa qytete të ndryshme.
Në përfundim të operacionit, autoritetet sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e paligjshme dhe 6 celularë, të cilat do të përdoren si prova materiale në hetim.
Gjithashtu, dy shtetas të tjerë, H. I., 40 vjeç, banues në Tropojë dhe R. N., 36 vjeç, banues në Libofshë, Fier, janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për aktivitetin e prostitucionit dhe nuk kishin kallëzuar.
Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës, e cila do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për këtë rast.