Një konflikt ka ndodhur mes disa vajzave në afërsi të një lokali në bulevard “Republika” të Korçës. Sipas informacioneve paraprake nga policia, mësohet se sherri ka degraduar deri në përdorimin e shisheve të qelqit.
E dëmtuar ka ngelur shtetasja P.M., e njohur si njëra nga vajzat që denigronte minorenet duke publikuar materiale të turpshme në faqe Instagrami. Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e policisë, ndërsa e dëmtuara është dërguar në spitalin e Korçës për mjekim.
Vajzat e tjera po shoqërohen në komisariat për veprime të mëtejshme. Nuk dihen ende rrethanat por dyshohet që shkak të jetë bërë pikërisht faqja e Instagramit që e dëmtuara P.M administronte bashkë me një shtetase tjetër dhe që denigronin vajzat dhe djemtë minorenë në juglindje.
Burime nga komisariati bëjnë me dije se deri në këto momente janë shoqëruar 2 vajza dhe 1 djalë, ndërsa pritet që pas mjekimit në spital të shoqërohet edhe e dëmtuara, ku do t’i merren deklarimet secilit lidhur me ngjarje.
“Mbasditen e sotme në ambientet e një lokali në lagjen “nr. 2″ Korçë, shtetasja F.D, dyshohet se ka goditur në fytyrë me gotë uji, një 17-vjeçare, e cila po merr mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes. Ndërkohë shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për gjetjen e shtetases F.D” – thuhet në njoftimin e policisë. /LAJME24