Zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave pr.ligjin për rikthimin e basteve sportive. Vjero ka shpjeguar me detaje sesi do të luhet në baste, ndërsa theksoi se gjithçka do të jetë online nëpërmjet platformave elektronike dhe jo fizikisht.
Sipas zv.ministres për të marrë një licence për lojëra fati duhet të plotësohen disa kritere të forta, ndërsa tha se tarifa do të jetë 400 mln lekë për 10 vjet.
Një tjetër propozim në pr ligj është edhe agjenti financiar, që siç shpjegoi zv.ministrja pagesat nuk do të bëhen në dorë, por nëpërmjet këtij agjenti që mund të jetë posta apo banka e nivelit të dytë.
“Pr ligji propozon rikthimin e basteve sportive, por në formën online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit, duke licencuar subjekte që kanë eksperiencë në ushtrimin ne lojërave të fatit dhe së dyti në garantimin e të ardhurave nga ky aktivitet, me qëllim mbështetjen direkte në fushën e sportit dhe inovacionit.
Bastet sportive online do të vendosen në faqen e internetit ose në platforma elektronike të dedikuara, të autorizuara dhe të monitorueshme të subjekteve. Do të aksesohen vetëm nëpërmjet një aplikacioni ose në faqen e tyre të internetit të organizatorëve të lojërave të fatit ku çdo lojtar do ketë akses individual.
Pr.ligji ka parashikuar edhe mënyrën e licencimit duke parashikuara kritere të forta. Licencimi do të jetë për 10 vite. Tarifa e licencimit do të jetë 400 milionë lekë për 10 vjet.
Licencimi do të bëhet me garë në bazë të një sistemi pikëzimi nëpërmjet krijimit të komisionit të licencimit. Sigurimi i mënyrës së regjistrimit të lojtareve do të jetë nëpërmjet një sistemi kontrolli dhe ID individuale dhe transaksioneve bankare.
Agjendat financiar është një tjetër propozimi i bërë në këtë pr ligj, ku përcaktohet se kush do të jetë roli agjentit financiar pasi pagesat për bastet janë parashikuar që të bëhen nëpërmjet këtyre agjenteve dhe jo në pikat ku zhvillohet aktiviteti.
Agjentët janë ata ofrues të shërbimeve të pagesave dhe janë të rregulluara me ligj për shërbimet e pagesave.
Agjent financiar mund të jetë posta shqiptare, bankat e nivelit të dytë, por edhe institucionet financiare. Organizatori i lojërave të fatit do të autorizojë pagesa tërheqje vetëm nëpërmjet agjentëve financiare. Lojtari do të duhet të rimbushë llogarinë vetëm pranë agjentëve financiarë”, tha Vjero.