Kryeministri Edi Rama tha sot në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetet e tij sociale se taksat e qytetarëve janë investuar te rritja e pagave, ku u shpreh se sot paga mesatare në sektorin publik, është 1000 euro. Më tej shtoi se këto taksa janë gjithashtu në 53 spitale dhe 430 shkolla të reja. Po ashtu u shpreh se taksat gjithashtu janë edhe te Shqipëria që sipas tij pret 12 milionë turistë në vit.
“Taksat e tua janë kudo ku mund të hedhësh sytë, në pagat e rritura të shqiptarëve. Sot paga mesatare në sektorin publik, është 1000 euro. Është një rritje shumë, shumë domethënëse. Janë pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, ushtarakëve. Taksat janë në 53 spitale të reja, të rindërtuara nga themeli, ose 10 prej tyre të bëra nga e para, që nuk ekzistonin. Taksat janë në 430 shkolla të reja, të rindërtuara nga e para, taksat janë në 400 e kusur qendra shëndetësore dhe ambulanca. Ka plot akoma, që mund të të them. Taksat janë, po t’i hedhësh vështrim Shqipërisë, në trupin e një Shqipërie që pret 12 milionë turistë të vit. Deri dje nuk bëje dot një fotografi në një qytet të Shqipërisë, se ishte tmerr”, tha Rama.