Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku iu përgjigj ofertës së “Vetëvendosje” të Albin Kurtit me një propozim. Në një konferencë për mediat ai kërkoi krijimin e një qeverie të tranzicionit në Kosovë duke ftuar edhe partitë e tjera për konsultime. Kreu i LDK tha se LVV si parti e renditur e para nuk po shfaq vullnet për zgjidhje, por përkundrazi po mban një qasje bllokuese.
“LDK propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë politike, kërkon unitet gjithëshqiptar dhe formimin e qeverisë tranzicionale. Për këtë si kryetar jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike dhe ftoj edhe Kurtin dhe liderët e tjerë.
Po flasim për një gjendje të krizës. Na duhet një qeveri kombëtare e tranzicionit, pjesë e së cilës jemi të gjithë partitë politike. Nuk shoh arsye të kem takim me Kurtin” – tha Abdixhiku duke shtuar: “E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë përfaqësues të kësaj force thanë se ideja e Abdixhikut ishte e papranueshme. Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si “jokushtetues” propozimin e Abdixhikut për një qeveri tranzitore. “Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, – shkroi Sallahu në Facebook pa dhënë më shumë detaje.
Ndërsa Donika Gërvalla e “Listës Guxo”, një aleate e ngushtë e Kurtit, u shpreh se LDK synon bashkëpunim vetëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Jo pa PDK-në, vetëm bashkë me PDK-në! Ky ishte mesazhi i sotëm i Lumir Abdixhikut, kryetarit të ‘Lidhjes së Re’ dhe ideatorit të ‘Rrugës së Re’. Ja pse votuesi i LDK-së e ka braktisur këtë parti dhe këtë kryetar të përkohshëm” – ka shkruar Gërvalla.
Ndërsa deputeti i LVV, Armend Muja reagoi më ashpër duke thënë se “humbësi nuk i dërgon dot ftesa fituesit” duke shtuar se kjo është arsyeja edhe pse Vetëvendosje dhe PDK s’i janë përgjigjur kësaj ftese nga partia që doli e treta në zgjedhje.
“LDK ka dalë e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit me 20 deputetë. Ajo duhet të rritet për 20% që ta mbërrijë PDK-në (24 deputetë) e cila është sa gjysma e fituesit të zgjedhjeve LVV (48 deputetë). Humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit. Prandaj edhe vetëm Ramush Haradinaj i është përgjigjur Lumir Abdixhikut”, – shkroi Muja.
Në të vërtetë, Partia Demokratike e Kosovës nuk është nxituar të bëjë një koment për ftesën e Abdixhikut. Kryetari i PDK, Memli Krasniqi në një përgjigje për Klan Kosova tha propozimi i LDK-së do të diskutohet në forume të mërkurën. Për këtë ai bëri të ditur se do mbahet një takim i kryesisë së partisë.
“Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë.
Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm” – thuhej në reagimin e Krasniqit.
I paqartë është edhe qëndrimi i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj. Gjatë konferencës për shtyp, Abdixhiku tha se Haradinaj e kishte pranuar ftesën e tij. “Mund të them se z.Haradinaj sapo më shkroi, e pranoi një ide të tillë. Por, duhet ta pyesni atë, unë po flas për idenë e propozuar nga unë si kryetar i LDK-së”, – tha Abdixhiku.
I pyetur për këtë çështje gjatë një aktiviteti përkujtimor për vëllain e tij dëshmor, Luan Haradinaj, kreu i AAK-së u përgjigj shkurt: “Nuk po i përziejmë sot temat”.
Të mërkurën do të jetë tentativa e 12-të në Kuvendin e Kosovës për konstituimin e tij. ©Përgatiti LAJME24