Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një 43-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri nga një bashkatdhetar i tij mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën Fontanafredda.
Sipas asaj që bëjnë me dije mediat italiane, viktima është Vladimir Topjana, i cili kishte dalë për të parë ndeshjen Roma-Juventus në një lokal, së bashku me djalin e tij 17-vjeçar.
Gjithashtu raportohet se autori i dyshuar është një 30-vjeçar shqiptar, i cili mbërriti pranë lokalit me makinë dhe në debat e sipër me Topjanën, e ka qëlluar me armë zjarri.
Klientët e lokalit ku ndodhi konflikti kanë tentuar të ndajnë dy shqiptarët, por më kot, pasi 30-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë bashkatdhetarin e tij, duke e lënë të vdekur në vend, pasi një plumb e ka qëlluar në kokë. Policia arriti të arrestonte autorin rreth mesnatës mes Saciles dhe kufirit me Veneton.