Mbledhja e këshillit bashkiak të Shkodrës dështoi të zhvillohej pasditen e kësaj të hëne pasi këshilltarët e PSD dhe PD braktisën sallën duke bërë që të mos arrihet kourumi i duhur.
Pasi u miratuan disa nga pikat e para të rendit të ditës që lidheshin me ndihmën për shtresat sociale, këshilltarja e PSD-së së Tom Doshit, Marin Duhani njoftoi se se socialdemokratët nuk do vijojnë më këtë mbledhje.
Ata akuzuan se vendimet e tjera bëheshin për fushatë elektorale. Pas një pushimi 5-minutësh të njëjtin vendim morën edhe këshilltarët e PD-së të cilët gjithashtu e lanë sallën. Të majtët të mbetur pa numra thanë se vendimi për braktisjen e mbledhjes ishte në dëm të qytetarëve.
Një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës ishte dhënia e një sipërfaqeje të madhe në plazhin e Velipojës në administrim të ndërmarrjes “Bio Strajca sh.a” me qëllim që shezllonet në këtë sezon veror t’i vendosë kjo shoqëri aksionere e administruar nga bashkia dhe jo më privatët apo operatorë turistikë siç ka qenë më përpara.
LEXO EDHE: Përplasje Rama – Doshi? Socialdemokratët ankohen për presione nga “Vëllai i madh”
Kjo braktisje e mbledhjes së këshillit bashkiak nga PSD-ja është e pazakontë pasi deri tani ata kishin bashkuar votat me PS në çdo vendim. Nga 51 anëtarë që ka Këshilli Bashkiak i Shkodrës, PS ka vetëm 18 anëtarë, 12 i takojnë PSD-së ndërsa pjesa tjetër i përket PD dhe partive tradicionalisht të djathta. LAJME24