Një përleshje me shkopinj ka ndodhur mes disa të burgosurve brenda burgut Bassone në Como. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme. Një grup prej dhjetë të burgosurish shqiptarë arritën të hapnin me forcë një portë të brendshme që ndante seksionin e tyre nga ai i grupit të rivalëve. Aty ndodhenin tre të burgosur me origjinë afrikano-veriore. Përplasja është ndërprerë nga efektivët e policisë së burgjeve. Katër prej policëve, të cilët u plagosën gjatë ndërhyrjes, u trajtuan në urgjencën e spitalit Sant’Anna në Como.
Për të rivendosur qetësinë, policia e burgut të Comos ka marrë përforcime nga Milano. Gjashtë nga dhjetë të burgosurit shqiptarë u transferuan sot në burgjet e Operas, Vigevanos dhe Kremones.