Deputeti i Partisë Socialiste dhe kandidati për Tiranën, Pandeli Majko kërkoi të sajojë një metaforë të sforcuar sa i përket opozitës dhe zgjedhjeve. Sipas Majkos, pas 11 majit, opozita do të ndryshojë për qeverinë socialiste, duke mos qenë PD, por Brukseli.
“Pas zgjedhjeve të 11 majit, opozita do të ndryshojë për qeverinë socialiste. Nuk do të jetë më PD, opozita do të përbehet nga administrata e Brukselit” – u shpreh Majko.
Sipas Pandeli Majkos, Brukseli do të fusë qeverinë në një “këmishë force” dhe do të ndryshojë qasjen ndaj procedurave dhe legjislacionit.
Pas rikthimit në realitet, Majko komentoi edhe opozitën në vend. Sipas kandidatit për deputet, opozita shqiptare është ndarë në disa fraksione dhe nuk ka më unitet, siç kishte ndodhur në vitin 2005 kur u gjet një gjuhë e përbashkët mes grupeve opozitare.
Sipas tij, opozita ka një qëndrim të qartë për drejtësinë, ku ka shpallur se do të shpërbëjë SPAK-un. “Është një doktrinë që ka përfaqësues një njeri që drejton opozitën, ‘të mitë janë të pafajshëm, të fajshëm janë ata të palës tjetër’,” tha Majko në studion e lajmeve në News24. ©LAJME24