Delegacioni i OSBE-ODIHR zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 11 majit. Takimi është pjesë e një axhende më të gjerë që synon të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet që Shqipëria ka ndaj OSBE-së.
Misioni i OSBE/ODIHR do të jetë i pranishëm në terren me 300 vëzhgues afatshkurtër dhe 26 afatgjatë, të shpërndarë në të 12 qarqet e vendit. Në ditën e zgjedhjeve do të përfshihen edhe vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Këshilli i Europës dhe Parlamenti Evropian, duke i dhënë misionit një përmasë edhe më të gjerë ndërkombëtare.
Në të njëjtën linjë me ndërkombëtarët, Prokuroria e Përgjithshme ka miratuar një udhëzim të posaçëm për zgjedhjet, që parashikon një angazhim në luftën kundër krimeve zgjedhore, manipulimit të votës dhe çdo tentative për deformim të vullnetit të qytetarëve.
“Prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm sigurojnë koordinim të shpejtë dhe efektiv për hetimin e rasteve me Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke shkëmbyer informacion të plotë, në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe autorët e tyre,” thuhet në një udhëzim të Prokurorisë së Përgjithshme që u shpërnda disa javë më parë.
Prokuroria do të përfshijë në hetimin e krimeve zgjedhore edhe përdorimin e mjeteve speciale të hetimit, si përgjime, survejime, ndjekje operative, dhe ndalime apo arrestime, nëse situata e kërkon.
Kjo qasje është e përforcuar edhe nga marrëveshja e re mes prokurorisë dhe policisë, ku përcaktohen qartë metodat e ndërhyrjes:
“Veprime të posaçme si kontrolle, sekuestrime, vëzhgime, përgjime dhe ndalime/arrestime në raste të nevojshme”.