Policia e Shtetit publikoi pamjet e momentit të ekstradimit të Florenc Çapja nga Dubai në Shqipëri. I shoqëruar në aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie, Çapja u mor nga forcat RENEA.
Florenc Çapja është një nga emrat më të njohur të botës së krimit. Emri i Florenc Çapjas doli në deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ai dyshohet se i ka ofruar rreth 200 mijë Euro Dumanit për të vrarë, Sokol Sanxhaktarin një emër të njohur për policinë në Elbasan.
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, kjo vrasje e porositur nga Çapja po e parealizuar ishte dhënë pasi Sokol Sanxhaktari konsiderohej lidhje e afërt me kundërshtarin e tij, Suel Çelën.
Ndërkohë Çapja është dënuar me burg përjetë si porositës i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan. Ngjarja ndodhi teksa Gentian Beqiri ndodhej në arrest shtëpie nga gjykata e Elbasanit.
Autorët përdorën Etien Canin si personin për të hyrë brenda banesës, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën. Vrasja dyshohet se u porosit për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri akuzohej se ishte implikuar në ekzekutimin e Sokol Çapjas, në vitin 2005.