Mediat italiane shkruajnë se qeveria italiane ka nisur të tjerë emigrantë drejt kampit të Gjadrit. Me një dekret të saj, qeveria italiane e ktheu qendrën në Shqipëri në një CPR (Qendër të Paraburgimit për Riatdhesimit).
Nëse më herët aty mbaheshin emigrantë të shpëtuar në det në pritje të riatdhesimit tashmë në Gjadër do të qëndrojnë emigrantë të cilëve u është refuzuar azili në Itali dhe që janë në pritje të riatdhesimit.
TGCom shkruan se nga burimet portuale shqiptare një anije me 15 emigrantë, e nisur nga Brindizi pritet të arrijë në portin e Shëngjinit rreth orës 15.00. Anija e dytë me 25 emigrantë të tjerë pritet në mbrëmje, rreth orës 19.00. Në total janë 40 persona, aq sa është edhe kapaciteti aktual i CPR-së brenda kampit të Gjadrit. Autoritetet italiane kanë thënë se kapacitetin do ta rritin. LAJME24