Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat nisi me debate diskutimin për ndryshimet në ligjin “Për lojërat e fatit”.
Zëvendësministrja për Ekonominë dhe Financat, Vasilika Vjero, e cila prezantoi p/ligjin në komision, bëri të ditur se rikthimi i kategorisë së basteve sportive do të jetë vetëm në formën online.
“Qëllimi kryesor i projektligjit është rikthimi i kategorisë së basteve sportive, por tashmë vetëm në formën online me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit “baste sportive”. Po ashtu, garantimi për përdorimin e të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online në mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit”, tha Vjero.
Vjero bëri të ditur se licencimi për kompanitë do të jetë 10-vjeçar, ndërsa tarifa do të dyfishohet duke shkuar në 400 milionë lekë.
Sipas saj, licencimi do të bëhet me garë, nëpërmjet sistemit të pikëzimit, nëpërmjet krijimit të komisionit të licencimit si një strukturë kolegjiale vendimmarrëse.
Projektligji ndër të tjera propozon krijimin e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj AMLF-së, organit tatimor etj. Në këtë rast organizatori i kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të AMLF-së, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Duke qenë se aktiviteti i basteve sportive online do të ushtrohet në faqet apo aplikacionet e subjekteve të licencuara në kategorinë “baste sportive online” do të jetë e nevojshme që këto faqe apo aplikacione të plotësojnë disa kushte dhe standarde minimale, të cilat do të përcaktohen më udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Në projektligj është parashikuar edhe procedura për dhënien e licencës “baste sportive online”. AMLF-ja publikon në faqen e saj zyrtare të internetit, në 2 gazeta ndërkombëtare si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike, njoftimin për konkurrim për dhënien e licencës për ofrimin e basteve online të cilat janë të kufizuara në numër, në rang kombëtar jo më shumë se 10.
Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se qeveria 5 vite më parë deklaroi se lojërat e fatit nuk do të riktheheshin më, në asnjë formë.
“Pasi qeveria shqiptare mbylli “marrëzinë e fundit”, akuza konkrete që ne diskutuam atëherë ishte se po mbyllen lojërat e fatit dhe po mbyllen të gjithë operatorët e vegjël, për t’i përqendruar këto në pak duar. Në 2013-ën ishin 800 kompani, në vitin 2015 ishin mbi 4300. Pati një shpërthim të kompanive që ofronin lojërat e fatit. Ndërkohë, sot jemi para faktit, ku ligji për lojërat e fatit është një nga 12 ligjet për të cilin Parlamenti akuzohet që e ka miratuar në mbështetje të interesave të grupeve të lojërave të fatit”, tha Tabaku.
Por deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se ligji për mbylljen e lojërave të fatit nuk është atakuar kurrkund se kap shtetin.
“Nga viti 2008 i kam ndryshimet në ligj. Vendimmarrja e komisionit atëherë edhe e Kuvendit edhe qeverisë, nuk ka absolutisht asnjë lloj etiketimi si një akt ku u kap shteti. Ndryshimi ligjor që iu referua Tabaku ka të bëjë me përcaktimin në ligj të numrit të pikave sekondare për kompanitë që deri në atë kohë operonin në Republikën e Shqipërisë. Sepse, për shkak të përhapjes masive në të gjithë territorin, të dyqaneve të këtyre kompanive u vendos të legalizoheshin me nipt sekondar. Dhe u vendos të ishin vetëm 500 nipte sekondare për kompani. Në seancë parlamentare 4 kolegë, dy të PS dhe 2 të LSI propozuan që nga 500 nipte sekondare të bëheshin 1000. Por 2 kolegët e PS-së janë tërhequr. Nën drejtimin e kryetarit të Parlamentit të asaj kohe është votuar për 1 000 nipte. Për këtë ka pasur një reagim të FMN-së“, shpjegoi Braçe.
Në vitin 2018 u ndalua ushtrimi i veprimtarisë së kategorisë “baste sportive” që luheshin përmes prezencës fizike të shtrira në territor. Ishin 3 kompani të licencuara me afat 10 vjeçar dhe ishin 4200 pika sekondare të shpërndara në territor me më shumë se 6700 të punësuar. Të ardhurat nga tatimi mbi lojërat e fatit ishin 1.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat në total nga lojërat e fatit llogariteshin 2.3 miliardë lekë.
Edhe pse aktiviteti i basteve sportive u ndalua me ligj, ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në mënyrë informale. Nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e vendit. Për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022, në total u kryen 1 421 kontrolle nga ku janë realizuar konfiskime, procedime penale dhe masa administrative me gjobë për 135 subjekte dhe individë që operonin në mënyrë të jashtëligjshme në tregun e lojërave të fatit.
Gjithashtu, nga ana e AMLF-së janë raportuar 4 035 adresa bastesh të paligjshme pranë AKEP-it më qëllim mbylljen e këtyre adresave.