Me pranga në duar, 40 emigrantët e përzgjedhur nga qendra të ndryshme paraburgimit në Itali, sipas një liste të përgatitur nga Departamenti i Emigracionit në Ministrinë e Brendshme kanë zbritur nga Anija Libra.
Anija e marinës italiane “Libra” u nis nga porti i Brindizit me 40 emigrantë në bord, me destinacion në Gjadër, qendrën e ndalimit dhe riatdhesimit të ngritur nga qeveria italiane në Shqipëri.
Ardhja e tyre vjen si pjesë e zbatimit të dekretit të ri të miratuar nga qeveria italiane në fund të muajit mars, i cili transformon kampin e Gjadrit nga një qendër për përpunimin e kërkesave për azil, në një strukturë për mbajtjen e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.
Fillimisht emigrantët do të akomodohen përkohësisht në qendrën pritëse në Gjadër, ku do të qëndrojnë deri në përfundimin e procedurave për riatdhesimin e tyre.
Qendrat e financuara nga Italia në Shqipëri u krijuan fillimisht për të kryer procedura të përshpejtuara të identifikimit dhe riatdhesimit për emigrantët meshkuj të rritur nga të ashtuquajturat “vende të sigurta” të shpëtuar në det.
Megjithatë, vendimet e gjykatave deri më tani kanë bllokuar zbatimin e plotë të këtij modeli, duke penguar funksionimin e objekteve.
Kampi i Gjadrit, që aktualisht ka një kapacitet total prej 48 vendesh, por që do të zgjerohet në 144 në muajt në vijim – do të presë emigrantët që janë subjekt i urdhrave të ndalimit të vlefshëm ose të zgjatur për riatdhesim, sipas ligjit italian.