I dënuar me burgim të përjetshëm shqiptari Alket Rizai ka bërë kërkesë për t’u liruar nga burgu i Domokosit më Greqi. Kërkesa e tij është shqyrtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kundërvajtjeve të Lamisë pasditen e së premtes. Sipas mediave greke, çështja e 47-vjeçarit shqiptar është shtyrë për në datën 6 qershor 2025, siç deklaroi një prej avokatëve të tij, Kostas Nousas, pasi klienti i tij ishte transferuar përkohësisht në Qendrën e Paraburgimit Korydallos, për një çështje procedurale.
Rizai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimet për vepra të tjera arrijnë deri në 25 vjet. Alket Rizai ndodhet në burg prej 21 vitesh që kur u arrestua për herë të parë në vitin 2003.
Disa arratisje gjatë kësaj kohe i lejuan të gëzonte vetëm disa muaj liri. Vitet e fundit, sjellja e tij e kishte lejuar edhe të merrte edhe leje nga burgu, siç ndodhi në janar 2021. Në atë kohë, në një zonë të Lamisë, policët e Departamentit të Veprimit të Shpejtë që po kontrollonin një automjet të dyshimtë në të cilin hipnin dy kriminelë, panë edhe Alket Rizain, i cili kishte marrë leje 5-ditore të ligjshme.
Hera e fundit që Alket Rizai ka kaluar pragun e gjykatave të Lamisë ka qenë një vit më parë, për t’u gjykuar nga Gjykata e Kundërvajtjeve tre anëtarësh të Lamisë për armëmbajtje dhe celularët që i ishin gjetur në qeli. Më pas ai u shpall i pafajshëm.
Emri i Alket Rizait u bë i njohur në mbarë Greqinë dhe më gjerë për arratisjet spektakolare nga burgu, përfshirë edhe bashkëpunimin e tij me kriminelin grek Vassilis Paleokostas, në një nga arratisjet më të guximshme me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë në Korydallos në vitin 2006.
Megjithëse pas arrestimeve të njëpasnjëshme ai ka kaluar pjesën dërrmuese të jetës së tij pas hekurave. Tani, pas më shumë se dy dekadash në burg, Alket Rizai është në pritje të një vendimi që mund t’i ndryshojë jetën. LAJME24