Kur vetëm disa orë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në fshatin Tomin të Dibrës, një grup simpatizantë të PD kanë ndaluar një makinë që mendohet se po shkonte drejt zonave të thella. Kandidati për deputet i Partia Demokratike, Xhemal Gjunkshi, njoftoi policinë duke denoncuar njerëz pranë PS që po shpërndanin para dhe tollona nafte. Prokuroria dhe policia kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer kontrolle të automjetit. Kandidati për deputet i Partia Demokratike pretendonte se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër.
Kjo ngjarje ka shkaktuar bllokim të aksit rrugor Peshkopi-Kukës, ku mbi 500 automjete janë në trafik.
Njoftimi i Policisë:
Dibër/Informacion paraprak Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.
Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër. Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit.