Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në rang kombëtar është subjekti i tretë më i votuar, por ka marrë vetëm 1 mandat deputeti deri më tani, kur janë duke u numëruar edhe votat e Diasporës.
Pas mbylljes së numërimit të votave në vend për partitë, ka reguar për herë të parë lideri i këtij koalicioni, Adriatik Lapaj, i cili e cilëson këtë mandat si më të votuarin, duke sinjalizuar një kthesë të fortë nga premtimi se do digjte mandatin nëse koalicioni merrte 1 mandat.
“Nuk është 1 mandat jo, është mandati më i votuar i historisë së tranzicionit shqiptar që nxjerr lakuriq sistemin elektoral shqiptar. Ai mandat do u fanepset aq shumë sa si grenxa në poturre do u bëj të mallkoni veten” – shkruan Lapaj, i cili duket se do ta shkelë premtimin që ka bërë nëpër studio televizive javën e fundit se nëse Shqipëria Bëhet do të marrë një mandat, ai do ta djegë mandatin e tij, sepse nuk është futur në zgjedhje për një karrige.