Në një studim të realizuar në vitin 2024 mbi mekanizmat publikë të financimit për artet pamore, shqetësimet kryesore të artikuluara nga komuniteti artistik ishin: niveli i ulët i financimit, mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve dhe centralizimi i vendimmarrjes.
Buxheti i vitit 2024 për “Artin dhe Kulturën” ishte rreth 2.9 miliardë lekë ose gati 0.4% e buxhetit total të shtetit të planifikuar në 737 miliardë lekë. Dukshëm, buxheti për artin në Shqipëri mbetet në nivele tejet të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, ku mesatarja për vitin 2023 ishte 1.2% e PBB.
Në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, buxheti i Shqipërisë për kulturën është disa herë më i ulët, diferencë e cila theksohet edhe më shumë kur flasim për financimin e projekteve artistike. Buxheti për ish-Ministrinë e Kulturës ka qenë më i ulëti ndër dikastere, ashtu siç ka qenë tepër i ulët edhe ai i institucioneve publike në varësinë e saj. Për të fundit vlen të përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të TKOB, Ilir Kerni, në vitin 2016 pikërisht për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për realizimin e detyrës së tij.
Kritikat kanë qenë të shumta edhe për menaxhimin e fondeve në 12 vitet e fundit, kur vërehet një qendërzim dhe ndikim politik i tepërt në kulturë. Disa nga rastet më ilustruese janë projektet e përqendruara te vetë figura e kryeministrit ose hapësira të hapura përreth tij si ajo e COD-it, shfuqizimi i Qendrës Kombëtare të Arteve në 2014, përqendrimi i projekteve me thirrje në ish-Ministrinë e Kulturës, shembja e Teatrit Kombëtar, si dhe përdorimi politik në kohë fushate i institucioneve publike të kulturës. Vetëm vitin e fundit është vënë re një hapje e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj dialogut me komunitetin artistik, punonjësit e kulturës dhe organizatat e angazhuara në rekomandime për politikë-bërjen në sektorin e kulturës dhe artit. Ndërsa në fushën e trashëgimisë kulturore, qeveria ka ndjekur një strategji që prej vitit 2018 me ligjin e ri për trashëgiminë kulturore, i cili synon ta kalojë menaxhimin e trashëgimisë kulturore në duart e fondacioneve të pavarura, si rasti i Butrintit, një rast ky i paprecedent në botë.
Në vijim, do të trajtojmë problematikat aktuale në politikat për kulturën dhe artin si dhe zotimet e dhëna nga subjektet politike për këtë sektor.
PS, qasje të njëjtë për kulturën
Në prezantimin e programit të PS “Shqipëria 2030” më 29 mars, kryeministri Edi Rama nuk e përmendi fare artin dhe kulturën, por ai e përmendi atë gjatë inaugurimit të një hapësire të re kulturore në ish-Kinostudio, “HangArt” së bashku me ministrin Blendi Gonxhe. Programi i PS bën bilancin e 12 viteve qeverisje me restaurimin e rreth 650 objekteve të trashëgimisë kulturore, dhe rijetëzimin e 7 qendrave historike në shërbim të zhvillimit turistik dhe ekonomik. Bilanci rikujton edhe rindërtimin e 10 teatrove dhe 20 muzeve. Në lidhje me mbështetjen për artistët, risillet si argument rritja me 60% e pagave në institucionet publike dhe mbështetja e mbi 1.800 projekteve të skenës së pavarur. Po ashtu, arritje konsiderohen edhe regjistrimet si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s të Xhubletës, Valles së Tropojës, etj.
Për periudhën 2025-2029, Partia Socialiste lë të kuptohet vazhdimësinë e së njëjtës qasje, pa pretenduar rritje domethënëse të buxhetit, apo rishikim të proceseve vendimmarrëse mbi projektet artistike. Vëmendja i kushtohet përsëri investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së pagave të administratës. Premtohen ngritja e hapësirave të reja kulturore (shumica projekte tashmë të nisura) dhe krijimi i 10 hapësirave të dedikuara për librin deri në 2030. PS premton po ashtu miratimin e ligjit për Statusin e Artistit, digjitalizimin e arkivave dhe trashëgimisë kulturore, si dhe ngritjen e Qendrave Kulturore Shqiptare në Diasporë. Ministri Gonxhe ka deklaruar se gjatë vitit 2025 do të përgatitet edhe Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 e cila do të hartohet në bashkëpunim me artistët dhe partnerë ndërkombëtarë.
Qeverisja e PS-së është kritikuar vazhdimisht për keq-menaxhim dhe privatizim të trashëgimisë kulturore si në rastin e Fondacionit për Butrintin, për prishje të institucioneve historike si Teatri Kombëtar, për nën-financim për skenën e pavarur, për nepotizëm dhe keqpërdorim të fondeve nga institucionet e artit dhe kulturës (rasti i ish -drejtorit të Teatrit Kombëtar, Basha), si dhe për kapjen politike në nivel qendror dhe lokal të skenës e pavarur (rasti i COD dhe Harabel). Në ligjërimin aktual elektoral të PS-së nuk reflektohet asnjë adresim i këtyre problematikave.
PD premton dyfishim të buxhetit
Programi i Partisë Demokratike, PD ndjek kritikat drejtuar qeverisë socialiste përgjatë këtyre 12 viteve. Sipas kryetarit të saj, Sali Berisha, qeverisja aktuale ka paralizuar më shumë institucione të kulturës se çdo qeverisje tjetër, duke kujtuar Galerinë Kombëtare, Muzeun Kombëtar dhe shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
Aleanca për Shqipërinë Madhështore vendosi ta prezantojë programin qeverisës gjatë disa takimeve publike me sektorë të ndryshëm shoqërorë, mes tyre edhe me komunitetin artistik. Vetë Berisha renditi disa propozime pjesë e një plani prej 10 pikash, ku përfshihen ndër të tjera: rikthimi i Ministrisë se Kulturës si portofol qeverisës më vete, mbi dyfishim të buxhetit për kulturën (mbi 2% te PBB-së), miratim të ligjit për Statusin e Artistit, miratimin e ligjit për sponsorizimin e artit, rindërtimin e Teatrit Kombëtar siç ishte dhe në të njëjtën vendndodhje, koordinimin e një strategjie të përbashkët me Kosovën dhe diasporën, etj.
Në lidhje me trashëgiminë kulturore, deputetja Ina Zhupa ka deklaruar se ASHM do të zhbëjë strategjinë aktuale të qeverisë që ia kalon menaxhimin e trashëgimisë fondacioneve (model i propozuar nga AADF) dhe se do ta orientojë kontributin privat dhe ndërkombëtarë drejt formës së donacioneve. Këtë ligjërim kritik ndaj “tregtarizimit” të kulturës e ka vazhduar edhe drejtuesi i departamentit për kulturën në PD, Parid Teferiçi, duke kritikuar politikat aktuale si konsumeriste dhe duke listuar parimet që do të ndjekë qeverisja e PD-së: decentralizim; transparencë; meritokraci; dhe dyfishimi i buxhetit brenda vitit të parë.
Në takim me artistët, disa prej tyre kanë kërkuar rikthimin e Qendrës Kombëtare të Arteve dhe krijimin e një fondi për blerjen e veprave të artit bashkëkohor, ashtu si edhe riorganizimin dhe fuqizimin e Qendrës Kombëtare të Leximit dhe mbështetjen e përkthimeve dhe ripërkthimeve të klasikëve. Nga ana e saj ASHM ka artikuluar nevojën për zvogëlimin e barrës fiskale për librat, promovimin e librave shqiptarë në panairet e huaja, rritjen e aksesueshmërisë, dhe mbështetjen për shtëpitë botuese.
Nga seria e zotimeve, përpos atij për dyfishimin e buxhetit për kulturën, nuk jepet një bilanc i kostove të tyre financiare ashtu siç nuk jepet një plan i detajuar për realizimin e tyre.
Arti dhe kultura sipas “Lëvizjes Bashkë”
“Lëvizja Bashkë” ka publikuar një program të gjerë prej rreth 176 faqesh, ku premton ndër të tjera rikthimin e Ministrisë së Kulturës duke i bashkuar edhe sektorin e Inovacionit. Në programin e LB, sektori i kulturës konsiderohet si i karakterizuar nga: buxhetet e pamjaftueshme, mbyllja e shumë institucioneve, prodhimi dhe mbështetja e ulët për kinematografinë dhe mungesa e transparencës së QKK-së, mungesa e ambienteve publike për prodhimin dhe ekspozimin e veprave, dhe tarifat e larta për vizitimin e monumenteve të kulturës dhe mosmirëmbajtja e tyre. LB thekson nivelin e lartë të informalitetit të punës në këtë sektor, duke nxjerrë në pah se skena e pavarur dhe industria kreative nuk e kanë të rregulluar siç duhet me ligj vendosjen e marrëdhënieve të punës.
“Lëvizja Bashkë” propozon një fond të posaçëm për artet performative dhe një fond për letërsinë artistike. Ndërsa për artin bashkëkohor, theksohet nevoja për ngritjen e një regjistri publik me të dhëna për artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, përmes të cilit artistët do të kenë mundësi të informohen, të aplikojnë në projekte dhe të përditësojnë profilin e tyre publik. Për organizatat fitimprurëse propozohen lehtësime fiskale për ato hapësira që ekspozojnë vepra të artit dhe trashëgimisë kulturore, ndërsa për artizanët sigurimi i lëndës së parë me çmim të ulët dhe mundësia e zhvillimit të aktivitetit në infrastrukturë publike pa pagesë. Programi përmban edhe miratimin e ligjit për statusin e artistit, i cili do të trajtojë çështje të sigurimeve shoqërore, pensionimit dhe mundësisë për t’u organizuar në shoqata artistike, si dhe miratimin e një ligji të veçantë për pronësinë intelektuale artistike. Po ashtu, propozohet edhe themelimi i institucionit të Komisionerit për punën artistike/kulturore të lirë, i cili do të monitorojë kushtet e punës për punën freelance.
Në infrastrukturë shihen të nevojshme investime mes të cilave: ndërtimi i dy sallave të reja koncertesh në Tiranë dhe rrethe, ndërtimi i hapësirave për prodhime artistike i një rrjeti me objekte publike dedikuar artit bashkëkohor, si dhe Krijimi i Kinematekës Kombëtare me salla kinemaje në të gjithë vendin. LB po ashtu parasheh reformimin e QKK-së njëkohësisht me rritjen e buxhetit të saj vjetor.
Programi nuk adreson situatën me librin, nuk ka shpjegime mbi mekanizmat e reja institucionale që propozohen ashtu siç nuk adreson se çfarë do të ndodhë me institucionet ekzistuese në të cilat priten ndërhyrje. Po ashtu, nuk tregohet kostoja financiare e ndërhyrjeve që propozohen ashtu siç nuk ka një vëmendje ndaj dialogut me komunitetin artistik, rritjen e mbështetjes për skenën e pavarur dhe decentralizimin e vendimmarrjes në mbështetjen e projekteve artistike.
“Shqipëria Bëhet”, ndërhyrje ligjore për kulturën
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në programin e tij për kulturën, liston një seri masash me fokus investimet në infrastrukturë, rritje të pagave për artistët dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore.
Si ndërhyrje ligjore shihen të domosdoshme: ligji për Statusin e Artistit; ligji për Sponsorizimet në Fushën e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Personave me Aftësi Ndryshe; dhe projektligji ‘Mirush Kabashi’ me synim pavarësinë, demokratizimin dhe mirëqeverisjen e artit.
Në infrastrukturë premtohen: investime në institucionet kulturore të 61 bashkive të vendit dhe kthimi i tyre në qendra multifunksionale; Krijimi i një ansambli të godinave strategjike që përfshin Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar të Natyrës, Teatrin Kombëtar, TKOB, Pallatin e Sportit dhe Pishinën Olimpike; Investime në Infrastrukturën Sportive për ndërtimin e komplekseve stërvitore dhe pishinave në qytete të ndryshme me qëllim ngritjen e ekipeve sportive.
Ndërsa në lidhje me financimin e projekteve artistike propozohen: Fondi i Granteve për Kinematografinë dhe Artistët e Pavarur me vlerë 10 milionë euro në vit; dhe Fondi i Granteve “Migjeni” për artizanatit.
Për shkak të natyrës së fragmentuar të programit dhe mungesës së trajtimit të çështjeve ekzistuese dhe propozimeve që ngre, pikat e sipërpërmendura mjaftohen me listimin e tyre. Lista nuk shoqërohet me shpjegimet se çfarë do të ndodhë me institucionet dhe mekanizmat financiarë ekzistues, disa prej të cilëve janë të ngjashme me propozimet e NSHB, ashtu siç nuk shoqërohet me llogaritjen e kostove financiare për realizimin e tyre.
Euroatlantikët premtojnë zero taksa për krijuesit
Koalicioni Euroatlantik në programin për artin dhe kulturën propozon rritje të buxhetit dhe formimin e disa institucioneve të reja.
Për buxhetin, premtohet rritje progresive e tij në 50 milionë euro, 0% taksë për individin krijues në industrinë kreative; fond 1 milionë euro për artistët e rinj; dhe fond 5 milionë euro për kinematografinë.
Ndërsa për ngritjen e institucioneve të reja shihen të nevojshme: ngritja e Qendrës Kombëtare të Artit Bashkëkohor (QKAB); Qendrës Kombëtare e Artit Shqiptar; Fondacionit për Letërsinë Shqipe; Fondi për Kreditim në Kulturë; Agjencisë së Librit Shqip; Teatër i ri për artistët e rinj të arteve të performuara; Teatër Alternativ; Galeria Impresionizmit Shqiptar “Vangjush Mio”, etj.
Programi mjaftohet me listimin e këtyre propozimeve pa adresuar gjendjen aktuale të sektorit dhe pa dhënë shpjegime për: mënyrën e implementimit të këtyre zotimeve, ndërhyrjet e nevojshme në institucionet ekzistuese, si dhe kostot financiare për ndërhyrje të tilla.
Subjektet politike pa program për kulturën
Subjektet e tjera politike si Partia “Mundësia” dhe Partia Social-Demokrate edhe pse kanë publikuar programe politike, nuk e kanë përfshirë sektorin e kulturës dhe artit. Po ashtu, subjektet si Aleanca Kombëtare Shqiptare, Aleanca Demokracia e Re, Lëvizja Atdheu edhe pse kanë publikuar program me parimet kryesore, e kalojnë pa e përmendur kulturën në faqet e tyre zyrtare apo në intervistat e dhëna për mediat. Ndërsa Koalicioni LZHK-Djathtas1912 nuk ka një program të publikuar online dhe përfaqësuesit e tij, ashtu siç kanë përmendur zotime për sektorin e kulturës në shfaqjet e tyre mediatike deri tani.
Probleme të munguara
Nga analiza e programeve politike për zgjedhjet e 11 majit, vihet re se kultura dhe arti nuk kanë marrë vëmendjen e duhur. Edhe pse nevoja për një dialog me komunitetin artistik dhe punëtorët e kulturës është një kërkesë e përsëritur vazhdimisht ndër vite nga vetë komuniteti, asnjë nga subjektet politike nuk e thekson dialogun dhe nuk përfshin një vizion të qartë për zhvillimin e tij.
Në lidhje me kostot financiare të premtimeve të tyre, shumica e subjekteve politike (me përjashtim të PS dhe LB) premtojnë rritje të shpenzimeve për kulturën dhe njëkohësisht me ulje taksash. P.sh., Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ASHM, premton taksim të sheshtë 10% dhe rritje të buxhetit për kulturën në 2% të PBB-së pa shpjeguar sesa do të ndikohen mbledhja e të ardhurave buxhetore dhe se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit. Këtë sqarim, nuk e jep as Lëvizja Bashkë, e cila premton taksim progresiv.
Në lidhje me trashëgiminë kulturore, vetëm ASHM ka një vizion të qartë për ta menaxhuar këtë trashëgimi bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rekomandimet e UNESCO-s. Problematika e pranisë së madhe të prekaritetit dhe informalitetit në punësimet e artistëve dhe punëtorëve të kulturës është adresuar nga LB, ndërsa zotimi për miratimin e ligjit për Statusin e Artistit përmendet nga thuajse të gjitha subjektet. Mirëpo, nuk jepen detaje se çfarë do të përmbajë ky Status i Artistit.
Përsa i përket proceseve vendimmarrëse, propozimet për krijimin e qendrave kombëtare për menaxhimin e projekteve artistike dhe kulturore nuk janë shoqëruar me modelet që do të ndjekin këto qendra dhe me ndërhyrjet ligjore që do të jenë të nevojshme për formimin e tyre.
Ndër problematikat të cilat nuk trajtohen nga programet politike mund të përmendet situata e vështirë e tregut të librit dhe financimi mesatar vjetor i botimeve nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në nivelin e pa dinjitetshëm prej 4.000.000 lekë në vit. Po ashtu, programet nuk trajtojnë problematikat e ligjit për OJF-të të cilat nuk parashikojnë klauzola mbështetëse për organizatat e artit, ashtu siç pamundësojnë formalizimin e unioneve, asambleve, apo forumeve të cilat do të mund të organizonin skenën e pavarur duke përfshirë artistët freelance, ata të vetëpunësuar, si dhe ata informalë. Një problematikë tjetër e patrajtuar lidhet me taksimin e lartë mbi burim prej 15% për punët e zhvilluara me kontrata shërbimi. Ndërkohë në lidhje me infrastrukturën, përpos mosfunksionimit aktual të Muzeut Kombëtar, Galerisë Kombëtare, dhe një Teatri dinjitoz Kombëtar, asnjë nga subjektet nuk përmend nevojën për krijimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, një kërkesë edhe kjo prej vitesh e shtruar nga komuniteti artistik./ BIRN