Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, pasi në furgonin e tij kishte fshehur 177 steka me cigare. Policia ka sekuestruar sasinë e cigareve kontrabandë dhe furgonin e 28-vjeçarit, banues në Kukës.
“Policia Kufitare e portit të Durrësit, në vijim të goditjeve ndaj krimeve ndërkufitare, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, analizës së riskut dhe inteligjencës policore, ka goditur në bashkëpunim me autoritetet doganore të portit, një rast të tentativës për të kontrabanduar mallra.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 28 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.
Në dalje të RSh-së, gjatë kontrollit të detajuar në furgonin e shtetasit R. S., u gjetën 177 steka me paketa me cigare, të cilat ai i kishte fshehur për t’iu shmangur detyrimeve doganore. Stekat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me furgonin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. ”, njofton policia.