Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesat për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, të paraqitura nga disa prej të pandehurve në çështjen e aferës “Partizani”, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Në seancën e 24 prillit, të pandehurit kërkuan përjashtimin e gjyqtares me pretendimin e njëanshmërisë.
Megjithatë, gjyqtarja Etleva Deda vendosi sot rrëzimin e kërkesave, duke konstatuar mungesë shkaqesh të përligjura nga mbrojtja.
Seanca e radhës do të mbahet më 5 maj, kur pritet që gjyqtarja Davidhi të vendosë për kalimin ose jo për gjykim të çështjes “Partizani”.
Njoftimi i GJKKO:
Janë paraqitur katër kërkesa. Nga gjykata është vendosur si më poshtë:
1. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Sali Berisha, paraqitur nëpërmjet mbrojtësve, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.
2. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkueses shoqërisë tregtare “Homeplan” sh.p.k, paraqitur nëpërmjet avokatit, për shkak të moslegjitimimit të mbrojtësve në paraqitjen e kërkesave.
3. Shpalljen të papranueshme të kërkesës së kërkuesit Jamarbër Malltezi.
4. Shpalljen e papranueshme të kërkesës së kërkueses Andia Pustina.