Nga Sabina Nika
Në brigjet e arta të Lukovës, ku deti përplaset qetësisht në breg dhe pronat kanë vlerën e arit, një hotel luksoz u ndërtua mbi një pronë të kontestuar që u pasua me një zinxhir skandalesh që përfshijnë korrupsion, falsifikime dhe heshtje institucionale.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania “Building Construction” nisi punimet për hotelin luksoz pa leje ndërtimi ndërsa pronari i saj rezulton me një të shkuar të errët.
Në mars të 2020 në policinë lokale ka pasur disa denoncime por pavarësisht kallëzimit dhe referimit të çështjes nga policia, prokuroria e Vlorës vendosi mbylljen dosjes me argumentin se denoncimi nuk përmbante elementët e veprës penale.
Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Posaçme zbuluan se pas vendimit për pushimin e çështjes qëndronin tentativa për të ndikuar te prokurori i rastit me pagesa të paligjshme. Avokatë, prokurorë dhe ndërtues janë përfshirë në një rrjet ndikimi për të garantuar mbylljen e hetimit dhe vijimin e projektit, pavarësisht pretendimeve të qarta për shkelje të ligjit dhe të drejtave pronësore.
Ndërkohë, biznesmeni Mentor Mezini, përfitoi statusin e investitorit strategjik pa asnjë kontroll të figurës, duke ndërtuar në pronat e kontestuara.
Kur drejtësia vret ligjin
Në mars të vitit 2020, Ashimaq Kokaveshi denoncoi në Komisariatin e Policisë së Himarës fillimin e punime për ndërtimin e një hoteli në tokën e tij. Kokaveshi u tha punonjësve të policisë se kompania “Building Construction” sh.p.k. kishte filluar punën pa lejen përkatëse dhe në një pronë të “vjedhur” që ishte toka e tij.
Sipas kallëzimit të Kokaveshit, punimet kishin përfshirë rreth 200 m2 dhe katër ullinj shekullorë në zotërimin e familjes së tij, të cilët u zhdukën për të hapur vend për një resort me pesë kate, pishinë dhe ambiente rekreative.
Bashkë me të, të njëjtat fakte kallëzuan edhe Vasillaq Gjezo dhe Dhimitër Kokaveshi. Të tre burrat pretendonin se toka e tyre u ishte “rrëmbyer” për t’i hapur rrugë ndërtimin luksoz.
Ashimaqi i tha “shteg.org”, se edhe 1000 metra katrorë të tjerë, po në atë zonë, ishin rrëmbyer nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të pronësisë, dhe se çdo përpjekje e tij për të rifituar pronën kishte dështuar.
Kallëzimi i tre burrave që ngrinin pretendime mbi pronësinë e e tokës ku po ndërtohej hoteli i pagëzuar “Prado Luxury” u referua më 26.03.2020 nga Komisariati i Policisë Himarë në Prokurorinë e Vlorës.
Dokumentet tregojnë se çështja u regjistrua si procedimi penal me numër 669/2020.
Prokurorit të Vlorës i janë dashur vetëm 2 muaj për të vendosur mbi fatin e pronave të banorëve, të cilët thanë se kurrë nuk janë thirrur më për të dëshmuar mbi uzurpimin që iu bë pronës së tyre.
Por, pavarësisht provave të paraqitura, më 28.05.2020, prokurori Erjon Shaqiri vendosi mos-fillimin e procedimit penal, duke e justifikuar me “mungesën e elementëve të veprës penale”.
Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kanë hedhur dritë mbi prapaskenat e vendimit të çuditshëm të prokurorisë.
SPAK njoftoi të shtunën më 4 janar 2025 përfundimin e hetimeve paraprake ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për ushtrim ndikimi në katër çështje penale që lidhen me dosjen e “Toyota Auris”, një hetim pasuror të Suel Çelës, një person i akuzuar për krime të rënda penale.
Pjesë e hetimit, përvec ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, ishin dhe oficerja e policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe biznesmeni Astrit Vladi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm në katër çështje penale.
Në mesin e këtyre dosjeve flitet edhe për ndërtim e paligjshëm në pronën e Ashimaq Kokaveshi, i cili në vitin 2020 kishte denoncuar kompaninë “Building Construction” për pushtim prone dhe ndërtim pa leje .
Prokurori Aurel Zarka, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, u përfshi në mbylljen e kësaj çështjeje në mënyrë të dyshimtë, ndërsa nga përgjimet e SKY ECC zbulohet se një shumë prej 2,000 deri në 3,000 euro u diskutua si “pagesë” për të garantuar vendimin e mos-fillimit.
Në komunikimet e përgjuara, shtetasit Radovan Çela (avokat), Astrit Vladi dhe Aurel Zarka shfaqen duke diskutuar mënyrat e ndërhyrjes dhe shumën që do të paguhej për të siguruar mbylljen e hetimit.
Avokati Radovan Çela luan një rol kyç. Ai jo vetëm propozon një pagesë prej 2,000 deri në 3,000 euro, por edhe sugjeron mënyrën sesi ajo duhej të shpërndahej për të arritur ndikimin tek prokurori i çështjes.
Çela garanton se falë lidhjeve të tij me funksionarë të sistemit të drejtësisë, çështja do të mbyllej pa pasoja ligjore.
Avokati Çela jo vetëm që garantoi zgjidhjen “pa pasoja”, por mori përsipër edhe organizimin dhe mbikëqyrjen e ndërhyrjes në drejtësi.
“Nuk di si e mbyllën por ne na thanë se çështja nuk shkoi në gjykatë. Unë jam 80-të vjeç dhe nuk i shkoja dot nga mbrapa dyerve të prokurorisë, dhe pas kësaj ai pronari i hotelit erdhi dhe na tha se do të rregullohej me ne” – i tha “shteg.org” Ashimaq Kokaveshi.
Banorët tregojnë se pas mbylljes së hetimeve të prokurorisë së Vlorës, kompania ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e pronës.
Ashimaq Kokaveshi, i zhgënjyer nga reagimi institucional, zgjodhi të mos ndiqte më rrugën gjyqësore, por dhe ai u fut në një marrëveshje të drejtpërdrejtë me investitorin Mentor Mezini. Ai nënshkroi dy kontrata për kompensimin e pronës së tij, për të cilën thotë se ishte uzurpuar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Kontratën e parë Kokaveshi ka nënshkruar me kompaninë “Building Construction”, për sipërfaqen prej 200 m2. Të dytën e ka nënshtruar pjesën tjetër të tokës prej 1000 m2, ku ai thotë se shtrihet hoteli luksoz.
“Me një çmim shumë të ulët kam nënshkruar dy kontrata, por deri më tani nuk kam marrë asnjë qindarkë. Ai pronari i hotelit vjen dhe na takon. Na kanë premtuar se do i kalojnë lekët, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur” – tha Kokaveshi për “shteg.org”.
E ndërsa 80 vjeçari ka pesë vite që pret të kompensohet për pronën e tij, buzë detit të Lukovës, në një nga segmentet më piktoreske dhe të lakmuara të rivierës shqiptare, “Prado Luxury Hotel” është kthyer në një destinacion për turistët e kamur vendas dhe të huaj.
I pozicionuar në një sipërfaqe të gjerë me pamje të hapur drejt Jonit, hoteli përbëhet nga një godinë 5-katëshe moderne, një pishinë panoramike, bar luksoz në hyrje, beach-bar buzë bregut dhe kënd lojërash të gjelbëruar për fëmijë.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se ky nuk është hoteli i vetëm që “Building Construction” dhe pronari i saj, Mentor Mezini ka në zonën e lakmuar të rivierës shqiptare.
Një vit, pasi mbylli çështjen me banorët e Lukovës, që sipas hetimeve nëpërmjet korruptimit të sistemit të drejtësisë, Mentor Mezini përfiton nga shteti statusin e “investitorit strategjik”, përmes projektit “Drymades Beach Resort”. Ky status i siguroi atij lehtësi administrative, përparësi në trajtimin e tokës dhe mbështetje nga struktura shtetërore.
Një “investitor strategjik” me të kaluar kriminale
Mentor Mezini, deri në nëntor të vitin 2024 ishte një emër i njohur në Shqipëri për aktivitetet e tij në fushën e biznesit, kryesisht në sektorin e turizmit, ndërtimit dhe tregtisë. Ai ishte pronar i disa kompanive të cilat përfshinin “Star Butik Hotel”, një kompleks turistik në Himarë dhe Tiranë, “TBC Distribucion”, që merrej me import-eksport, “Xplorer” dhe “Entire”, të cilat operonin në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë, si dhe “Norman Petroleum”, një kompani që merrej me tregtinë e karburanteve.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, dhe dosjet që rrodhën në media e identifikonin atë me nofkën “Tor Lushnjari”, me një të shkuar kriminale, po ashtu dhe në marrëdhënie financiare dhe sociale me individë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Emri i Mezinit përmendet në dosjen penale që SPAK po heton ndaj tre vëllezërit Merkaj nga Berati dhe lidhjet e tyre të dyshuara me rrjete kriminale, përfshirë edhe familjen Çopja nga Elbasani.
Por, pavarësisht këtij profili, në korrik të vitit 2024, kompania e tij “Bluebay” sh.p.k. përfitoi nga Komiteti i Investimeve Strategjike statusin “Investitor Strategjik” për ndërtimin e projektit luksoz “Drymades Beach Resort” në Gjilekë të Himarës.
Vendimi, që i garanton përfitime dhe privilegje të veçanta nga shteti, u mor pa asnjë verifikim të figurës së Mezinit, një kërkesë e detyrueshme ligjore, sipas Ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”.
Bazuar në Ligjin Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, ndër kriteret për përfitimin e statusit “investitor strategjik” një ndër pikat kryesore është që investitorët të mos kenë rekorde penale për vepra që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar apo pastrimin e parave.
Në mënyrë të pashpjegueshme, Komiteti i Investimeve nuk ka përfshirë asnjë verifikim të figurës penale të Mezinit në vendimin nr. 5, datë 11.07.2024. AIDA, që sipas ligjit ka detyrimin të bëjë kontrollin e integritetit të investitorit.
Pika 2 e Nenit 14, për procedurat e verifikimit të dokumentacionit, e detyron Agjencinë për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) të bëjë, verifikim të integritetit të aksionarëve dhe përfaqësuesve ligjorë.
Në dokumentacionin e vendimit nuk ka asnjë informacion për verifikimin penal të Mezinit, ndonëse ai ishte tashmë emër i ekspozuar në hetime publike.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë rast si simptomë të një fenomeni më të gjerë dhe alarmues, siç është kapja e shtetit nga krimi i organizuar.
“Përfshirja e individëve me të shkuar kriminale në radhët e investitorëve strategjikë nuk është rastësi, por provë e bashkëjetesës së krimit me politikën”, thotë ai.
Sipas Preçit, skema të tilla shërbejnë për të legjitimuar burime të dyshimta financiare, për të siguruar privilegje fiskale dhe për të ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen politike.
“Kjo kategori sipërmarrësish luan një funksion kompleks: nga njëra anë sigurojnë privilegje fiskale dhe përfitime të tjera që ndihmojnë në legjitimimin e burimeve të tyre financiare – qofshin ato të njohura apo të panjohura – dhe vendosen në një pozitë më të favorshme në tregjet përkatëse (si ndërtimi apo operimi i resorteve); nga ana tjetër, ata shërbejnë si burim i financimeve të paligjshme për partitë politike në pushtet dhe pasurimit të padrejtë të disa politikanëve dhe vendimmarrësve të lartë” – sqaron eksperti i ekonomisë.
Dhe në fakt, ende pa u tharë bojë mbi vendimin për investimin strategjik, në prill 2024, Mezini vendosi të shesë 100% të kuotave të “Bluebay” për një shumë prej 12 milionë eurosh.
Blerësit janë tre kompani shqiptare, “Edil Project”, “Belhaus” sh.p.k. dhe “Hotel Colosseo” të lidhura me familjen e biznesmenit Pjerin Fushaj. Sipas kontratës, pagesa do të kryhet me tre këste, ndërsa ndërmarrja do të transferohet plotësisht te blerësit.
Resorti parashikohet të ndërtohet për një vlerë investimi prej 6.3 milionë eurosh, do të ketë 110 dhoma dhe pritet të punësojë rreth 165 persona. Por kontrasti mes kësaj shume dhe çmimit të shitjes prej 12 milionë eurosh.
Kjo është hera e parë që një projekt i shpallur “strategjik” ndërron pronar brenda pak muajve nga miratimi i statusit, dhe sipas ekspertëve këto manovra mund të kthehet në një instrument për pastrim parash, përfitim të privilegjeve shtetërore dhe për riciklim të kapitalit kriminal në ekonomi.
Agjencia e Investimeve Strategjik nuk iu përgjigj pyetjeve mbi gjetjet e “shteg.org”, po ashtu edhe Mezini refuzoi të komentonte akuzat në lidhje me të shkuarën e tij dhe bashkëpunimin me subjekte që janë nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme si të dyshuar për veprimtari të organizuar kriminale.
Ndërsa për ekspertët rasti i “Drymades Beach Resort” është një shembull ku një projekt me emërim zyrtar “strategjik” mund të kthehet në një instrument për pastrim parash, përfitim të privilegjeve shtetërore dhe për riciklim të kapitalit kriminal në ekonomi.
“Vetë përzgjedhja e projekteve të propozuara nga këta sipërmarrës është tregues i qartë i moszbatimit të kuadrit ligjor në fuqi, i mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i politizimit ekstrem të vendimmarrjeve që kanë pasoja shumë të dëmshme për buxhetin e shtetit, pasuritë publike dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.
“Kjo situatë krijon një sërë pasojash të menjëhershme dhe afatgjata, të cilat përfshijnë aspekte themelore të jetës ekonomike dhe shoqërore të vendit. Disa nga këto pasoja janë: mundësimi i pastrimit të parave në shkallë të gjerë, shpesh në dhjetëra miliona euro; deformimi i konkurrencës në tregje, çka sjell dështimin apo pamundësinë e zhvillimit për bizneset e ligjshme; vënia e institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të krimit të organizuar; dhe përdorimi i fondeve të paligjshme në fushata elektorale, që dëmton rëndë integritetin e procesit zgjedhor” – thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike./ Shteg.org