Një 19-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në qytetin e Durrësit si rezultar i vazhdimësisë së operacionit policor ‘Skema’. I arrestuari Luvjano Topi, ishte shpallur më përpara në kërkim për veprën ‘krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar’, e cila dyshohet se i ka sjellë shtetit rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.
Gjykata i ka caktuar të arrestuarit masën arrest në burg ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/ Në vijim të operacionit policor të koduar “Skema”, kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Operacioni “Skema”, i zhvilluar 6 muaj më parë, identifikoi 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës kapën dhe ndaluan shtetasin Luvjano Topi, 19 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në kuadër të operacionit të koduar “Skema”. Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.