Në mesditën e sotme, në qytetin e Ternit në Itali, u zhvillua ceremonia mortore për Ilaria Sulën, vajzën 22-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike pas një akti të rëndë dhune nga ish-i dashuri i saj filipinas. Pas krimit makabër, autori e futi trupin e saj në një valixhe dhe e hodhi në një greminë, në një përpjekje për të fshehur gjurmët.
Arkivoli me trupin e Ilarias mbërriti në banesën e familjes së saj më herët gjatë ditës, i shoqëruar nga të afërmit që i qëndruan pranë në këtë moment të rëndë. Atmosfera në lagjen ku banonte familja ishte e rënduar, ndërsa shumë të afërm, miq dhe fqinj ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit të resë shqiptare.
Momente prekëse u shënuan jashtë banesës, ku nëna e Ilarias shpërtheu në lot e dënesa, duke thirrur me zë të lartë emrin e vajzës së saj:
“O Ilaria ime, o vdeksha mami për ty… Ku je që nuk ke dritë në sy, ku je mbyllur ti o shpirt i mamit… Të solla në shtëpi, se the do vish në shtëpi. Hapi sytë, o Ilaria.”
Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe opinionin publik më gjerë, duke sjellë sërish në vëmendje plagën e dhunës në marrëdhënie dhe tragjeditë që ajo lë pas. Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.