Në orën 13:30 do të mbahet në GJKKO seanca për shqyrtimin e kërkesës së Erion Veliajt, i cili kërkon revokimin ose zëvendësimin e masës së arrestit në burg.
Pas dy muajve në paraburgim, Veliaj kërkon lirimin nga qelia, por gjithashtu informacion nga SPAK lidhur me hetimet e deritanishme. Seanca e 16 prillit u shty për shkak se avokatët e tij kërkuan kohë që të njihen me aktet hetimore, ndaj gjyqtari paraprak Erjon Bani vendosi që seanca të shtyhej me një javë.
Më herët, Erion Veliaj apeloi masën e GJKKO në Apelin e Posaçëm, por shkalla e dytë rrëzoi kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë më 12 shkurt. Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.