GJKKO kaloi për gjykim dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre më shumë se një herë, e kryer në bashkëpunim. Bëhet me dije se GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK, për miratimin e akuzës dhe kalimin në gjyq, e gjithashtu të mbrojtjes për gjykim të shkurtuar. Gjithashtu mësohet se më 20 maj do të zhvillohet seanca gjyqësore në themel.
Një muaj më parë, Gjykata e Posaçme dënoi me 3 vite e 1 muaj burg dhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite, Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e akuzuar për shpërdorim detyre në dy episode dhe mos deklarim pasurie, teksa konfiskoi edhe mbi 10 mijë m2 tokë që përfitoi Artan Gaçi, ku do të ndërtonte me statusin e investitorit strategjik.