Babai i Ilaria Sulës, studentes 22-vjeçare e vrarë me thikë nga ish-i dashuri i saj Mark Antony Samson në Romë, nuk e pranon ndjesën e tij nga qelia. “Nuk ka justifikime. Nuk ka dhe nuk më intereson ajo që ka shkruar. Ka humbur kohën kot”, – thotë Flamur Sula, pasi 23-vjeçari i akuzuar për vrasje dhe fshehje kufome dërgoi një letër falje.
“Nuk e prisnim letrën në këtë kohë – vazhdon babai i Ilarias – “ndoshta pas 30 apo 40 vjetësh, por jo tani. Ai thotë se po qan, por ne kemi qarë për vajzën tonë për 20 ditë. Ilaria nuk e meritonte këtë fund. Është e pamundur ta harrosh. Nuk ka justifikime. Faljet nuk ekzistojnë, nëse e dua dikë, nuk e vras atë dhe pastaj them se e dua”.
Babai i Ilaria Sulës, për më tepër, është i sigurt se vajza e tij “nuk ka shkuar në shtëpinë e Mark Samsonit” me dëshirën e saj. “Ilaria nuk shkoi kur ishin të lumtur bashkë, si shkoi kur u ndanë? Është absurde”, shton ai. “Kush ishte Ilaria? Vetëm shikoni përreth, vetëm dëgjoni njerëzit të flasin. Ajo kishte aq shumë ëndrra, aq shumë ëndrra… donte të bëhej financiere. Më tha “ke një vajzë të mrekullueshme dhe duhet të jesh e lumtur për vajzën që ke”. Po bëhej gati të diplomohej në tetor”.
“E pyeta Markun, atë vrasës, “a ke lidhje me këtë histori që Ilaria u zhduk?” Ai m’u përgjigj “Unë e dua Ilarian… Nuk do ta lëndoja kurrë” dhe përkundrazi e kishte bërë”, thotë babai i Ilaria Sulës, duke rrëfyer momentet që kaloi në komisariat me të riun që më pas u arrestua për vrasjen e kryer.
Nëna e Ilarias, Gëzimja, foli për nënën e Mark Samsonit. “Ajo nuk është nënë, një nënë si ajo nuk duhet të ekzistojë”, thekson ajo pa ngritur kokën. “Një nënë – shton ajo – nuk mund ta ndihmojë djalin të fshehë një kufomë, të fshehë vajzën tonë. Nuk e di se çfarë zemre ka. Nuk e di…”.
Prindërit kanë folur më në fund për mesazhet e fundit të marra nga telefoni i vajzës se tyre. “Çfarë mendonim? Se nuk ishte ajo. Nuk ishte Ilaria. Sepse po të ishte ajo, çfarëdo që të kishte bërë, në të mirë e në të keq, do të na e thoshte. Në fakt do të na kishte telefonuar, jo do të na dërgonte mesazh apo “story” në Instagram. Ai i dinte të gjitha kodet”, thotë babai. “Ilaria ishte një vajzë e fortë që kishte shumë ëndrra”, thotë nëna e saj. LAJME24