Kur janë numëruar më pak se gjysma e kutive të votimit (2035 nga 5225 në total), trendi i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 është tashmë i qartë: një diferencë akoma më e thellë e rezultatit në favor të Partisë Socialiste dhe një humbje që mund të konsiderohet dramatike për koalicionin e udhëhequr nga Sali Berisha.
Nga një maksimum të shpresuar prej 88 mandatesh sipas parashikimeve të brendshme të Edi Ramës, dhe një skenar minimal prej 78 mandatesh në “memorandumin e Kuçit”, Partia Socialiste po shkon drejt një shumice me më shumë se 80 mandate, duke e vendosur Ramën në rrugën drejt një mandati të katërt radhazi.
Tirana: Mandatet e PD tek partitë e reja
Nga shifrat e deritanishme duket se në qarkun e Tiranës – më i madhi në vend me 37 mandate – PS mund të marrë një mandat më shumë, duke nxjerrë 19 deputetë megjithatë ende asgjë nuk është e mbyllur. Nga ana tjetër koalicioni PD-ASHM ka pësuar një rënie nga 17 mandatet që kishte fituar në 202,1 në 14 mandate që mund të fitojë nga rezultati i deritanishëm.
Mandatet e humbura nga koaliacioni i Berishës në Tiranë duket se janë përfituar nga partitë më të vogla, ku për herë të parë Partia Mundësia, koalicioni Nisma-Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë marrin nga 1 mandat secila. Edhe Tom Doshi konfirmohet me PSD në 1 mandat në Tiranë.
E gjithë kjo në një kontekst ku PS udhëheq me 47.9% të votave, ndaj një opozite që arrin vetëm 35%. Ndërkohë është konfirmuar rezultati elektronik i Vorës paraditen e së hënës, që konfirmon fitoren e thellë të Partisë Socialiste me thuajse 57% të votave, ndërsa bie në sy vota preferenciale për Blendi Gonxhen.
Fieri: Belinda Balluku kalon rezultatet e Gramoz Ruçit
Në Fier, qarku i dytë për nga numri i mandateve (16), socialistët e drejtuar nga Belinda Balluku kanë kryer një kapërcim që nuk ishte parë ndonjëherë në këtë qark nga 9 në ndoshta 12 deputetë. Mandati i 9 ka qenë një objektiv që dikur i ekzaltonte socialistët e Fierit, kur drejtoheshin nga Gramoz Ruçi.
Ndërsa opozita e ndarë në dy koalicione të drejtuar nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë që katër vite më parë kishin përkatësisht 6 dhe 1 deputetë, tani të bashkuar mund të shkojnë në vetëm 4 mandate.
Me 25.4% të votave, koalicioni opozitar regjistron një nga performancat më të dobëta në këtë zonë ku koalicioni opozitar drejtohej nga Gazment Bardhi.
Elbasani: Qyteti me një organizatë kriminale, dy mandate më shumë për PS
Në Elbasan, ku më 2021 Partia Socialiste kishte 8 mandate dhe Partia Demokratike 6, tani socialistët janë drejt fitores me 10 mandate, duke marrë dy më shumë, ndërsa opozita zbret në 4.
Duhet thënë se në vitet e shkuara në qarkun e Elbasanit një ndikim të fuqishëm u tha se pati e vetmja organizatë kriminale në vend, e diktuar nga prokuroria e posaçme dhe që drejtohej nga Suel Çela që tashmë është zyrtarisht në kërkim.
Me një diferencë prej 13 mijë votash dhe me 68% të totalit, kjo është një tjetër zonë që konfirmon forcimin e Partisë Socialiste.
Lezha dhe Dibra: Përmbysjet e forta të rezultatit
Dibra dhe Lezha janë dy nga surprizat më të mëdha të këtyre zgjedhjeve, për shkak se Partia Socialistë ka bërë një përmbysje të rezultatit.
Në Dibër, Partia Socialiste përmbys rezultatin duke kaluar nga 2 mandate në 3 të tillë, ndërsa në Lezhë, socialistët rriten nga 3 në 4 mandate, duke marrë shumicën për herë të parë në këtë qark tradicionalisht blu.
Drejtuesi i qarkut Dibër për PD ka thënë se nuk ka mundësi që PD të dalë me këtë humbje në Dibër dhe se nuk do e pranojnë rezultatin.
“Nuk mund të pranojmë një rezultat ku janë hedhur miliona euro në këmbim të votës, besoj që kushdo e kupton. Shoh një tendencë të zonave të cilat duhet të kishim një rezultat të thellë, shpresoj ta ruajmë mandatin e tretë në Diber, por varet nga shuma që kanë hedhur”, u shpreh Mziu.
PS rritet edhe në Shkodër, mbijeton Tom Doshi
Në bastionin historik të së djathtës, Shkodër, PS ngjitet nga 3 në 4 mandate. Opozita bie nga 6 në 5, ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit mban ende dy mandate, ndonëse nuk është më në aleancë me PS. Doshi konfirmon që mbetet një faktor politik i mbijetuar dhe i pazëvendësueshëm në këtë qark. Gjatë një prononcimi mbrëmjen e kaluar, Doshi tha se partia e tij është sulmuar të dy partitë e mëdha, si PS edhe PD.
“Presionet kanë qenë shumë të mëdha nga ana e policsë, e strukturave të shtetit kudo “Mos votoni PSD”. Ne faktikisht e kemi mbështetur Partinë Socialiste 4 vjet. Mandatet tona kanë qenë për PS-në, por dihet që PS-ja e ka hallin që t’i marrë të gjitha për vete dhe populli sot ka vendos me na votu ne” është shprehur Tom Doshi, që la të hapur mundësinë e një marrëveshjeje pas rezultatit të 11 Majit.
Vlora, Korça, Berati: PS ruan pozicionin
Në Vlorë, nga rezultatet e deritanishme Partia Socialiste mban të njëjtat 8 mandate si në 2021, me 57.5% të votave – një rezultat i qëndrueshëm që lë opozitën me 4 mandate.
Në Korçë, PS ruan 6 mandatet, ndërsa PD bie nga 5 në 4 për shkak se një mandat i Korçës i kaloi Tiranës.
Edhe në Berat, socialistët ruajnë 5 mandatet, me një rritje të lehtë në vota, ndërsa opozita bie në 2.
Kukësi dhe Gjirokastra: qëndrueshmëri, por ndryshime në përqindje
Në Kukës, PD ruan 2 mandate, ndërsa PS mban sërish 1, me një rritje prej gati 10%.
Në Gjirokastër, PS ruan 3 mandatet dhe PD një, por me rënie të ndjeshme në përqindje votash.
Në Durrës, PS ruan 8 mandate si në 2021, por me një përqindje më të lartë të votave (51%). Opozita ka rënie si në vota ashtu edhe në përfaqësim.
Me 52.3% të totalit të votave të numëruara deri tani, PS është në rrugë të sigurt drejt fitores së katërt radhazi, që i jep Edi Ramës jo vetëm kontroll absolut parlamentar, por edhe një pushtet politik më të konsoliduar se asnjëherë më parë.
Jo më kot, ai e nisi ditën duke shpërndarë në rrjetet sociale një foto nga rruga përballë godinës së Partisë Socialiste, teksa dita po agonte me nuancat mavi që reflektonte posteri që vesh muret e selisë.
Në anën tjetër, Sali Berisha dhe opozita e bashkuar me LSI-në kanë humbur një numër të konsiderueshëm mandatësh krahasuar me vitin 2021– një rënie që e bën këtë koalicion opozitar më të dobëtin që nga koha e krizës së 1997-ës. Dhe numërimi nuk ka mbaruar ende.