Vendimi për dosjen “Partizani” në GJKKO është shtyrë për ditën e nesërme. Raportohet se vendimi do të jepet në orën 13:00.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani, një çështje që ka qenë në qendër të hetimeve për korrupsion dhe shkelje të ligjit.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj në deklaratën e tij për mediat u shpreh se pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për konsultim ndaj vendimmarrjes.
GJKKO nuk vendosi përfundimisht për ta kaluar ose jo dosjen për gjykim në themel, çka do ta bënte Berishën të pavarur, por vendosi të rrëzojë kërkesat e avokatëve me vendim të ndërmjetëm. Por avokatët kanë kërkuar kohë për t’u konsultuar me klientët e tyre, ndërsa nesër në 13:00 pritet të zhvillohet seanca e radhës.
Avokati i Berishës tha se do të marrë të gjithë kohën e duhur, pasi sipas tij vendimi i ndërmjetëm i GJKKO është i paligjshëm.
Avokatët e Berishës mund të kërkojnë përjashtimin e gjyqtares së çështjes çka do ta shtynte edhe më tepër në kohë vendimin se kur do të kalojë dosja për gjykim.
Ky proces shtyhet prej 7 muajsh dhe ende nuk ka një vendim nëse dosja “Partizani” do të kalojë për gjykim, do të pushohet apo do të kthehet për hetime të mëtejshme në SPAK.
Berisha akuzohet për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltez, sepse, sipas SPAK pretendohet se ka favorizuar këtë të fundit në privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani. Hetimet për dosjen “Partizani” zgjatën 4 vite.
Sakaq, mund të ketë edhe kërkesa të tjera nga avokatët, pasi përfaqësuesit ligjorë janë të interesuar që ky vendim të shtyhet për pas zgjedhjeve të 11 majit ndaj edhe çdo gjë do të varet nga natyra e kërkesës së avokatëve.