Mbi 245 mijë zarfe me fletë votimi janë dërguar në diasporë deri më tani. Sipas të dhënave të përditësuara në faqen online të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, theksohet se deri më tani nga të gjitha zarfet e dërguara janë marrë nga emigrantët 58,128 zarfe gjithsej. Ndërkohë që në të dhëna shihet se deri më tani në Shqipëri janë rikthyer 8,401 zarfe.
Numri më i madh i fletëve të votimit të shpërndara i përket qarkut të Tiranës me 51.520, Fierit 31.752, Elbasanit 25.022, Durrësit 24.872 e më pas në qarqe të tjera. Të ndara sipas shteteve, janë dërguar në Itali 89 723 zarfe, në Greqi 67 165, në Gjermani 25 062, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 274, në Mbretërinë e Bashkuar 16 913. Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.