Kriza e fundit në Kosovë, që e ka lënë vendin me një vakum institucional, pra me një qeveri të dorëhequr dhe me një kuvend pa deputetë, sepse mandatet e të zgjedhurve nga beteja e 9 shkurtit nuk po verifikohen dot, është më tepër një kalkulim politik sesa një përplasje për interpretimin e kushtetutës dhe ligjeve.
Si qeveria po ashtu dhe opozita po mbajnë secila qëndrime diametralisht të kundërta thjeshtë për të fituar kohë.
Partitë që humbën zgjedhjet LDK, PDK dhe AAK nuk kanë pranuar në dy seanca me radhë të votojnë verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj duke mos lejuar kështu konstituimin e parlamentit.
Andi Bushati: Po sikur Albin Kurti të tërhiqej?
Ato kanë përdorur për këtë një argument juridik. Sipas tyre ligji i vendit ua ndalon deputetëve të kryejnë çdo lloj detyre tjetër përfshirë këtu edhe atë të ministrit. Kështu që-, pretendojnë ata – ministrat e kabinetit të shkuar Kurti nuk mund të shkojnë më në zyra duke qenë edhe deputetë. Ata duhet ti’a lënë vendin dikujt tjetër.
Në dy seancat e dështuara të parlamentit të mbajtura në 15 dhe 17 prill ata i janë referuar nenit 26 të ligjit për qeverinë në të cilin thuhet se “kur anëtari i një qeverie në detyrë zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i tij qeveritar…”.
Nga ana tjetër, kryeministri Kurti dhe ministrat e tij pretendojnë se e kanë dhënë dorëheqjen që më 23 mars, ditën kur mbaroi mandati i qeverisë së shkuar. Ata pohojnë thjeshtë se po zbatojnë kushtetutën duke qëndruar në detyrë për të mos krijuar boshllëk institucional, duke e “vërtetuar” dorëheqjen e qeverisë edhe përmes një letre që ia dëshmonte atë kryeparlamentarit në detyrë, Glauk Konjufca.
Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, këmbëngul se kërkesa e opozitës, që ai të japë dorëheqje dhe të mos paraqitet më në zyrë, është e pakuptimtë.
“Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim – thënë së buti – i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai gjatë një mbledhjeje qeverie.
Në fakt, e gjithë kjo krizë në dukje e fortë e ka burimin tek rezultati i papërcaktuar i zgjedhjeve të fundit. Elektorati kosovar vërtet e nxori Vetëvendosjen fituese, por ai nuk i dha shumicën e nevojshme për të ndërtuar qeveri. Pas negociatash të shumta dy mujore partia e Kurtit, që fitoi 48 deputetë ka arritur një marëveshje Nismën e Fatmir Limajt (me 3 deputetë), me 10 deputetë të minoriteteve dhe një të zgjedhur serb që nuk i përket Listës Serbska.
Llogaritë / Njeriu që mund të sigurojë votat për një qeveri të re Kurti
Pra, ajo ka afërsisht 62 deputetë nga 120 që përmbledh parlamenti i Kosovës. Po në rast se ky pretendim është i vërtetë, pse atëherë Vetëvendosja nuk po e përdor këtë shumicë për të konstituuar parlamentin dhe për të kthyer gjendjen në normalitet? Dyshimi është se, ndonëse e ka këtë shumicë, partia e Kurtit është e ndërgjegjshme se kjo përbën një mazhorancë tejet fraxhile për të garantuar stabilitet. Ajo do të fitojë kohë me shpresën se dikush tjetër nga opozita ofrohet për bashkëpunim. Në këtë kuptim asaj i leverdis kriza, shtyrja e ngritjes së institucioneve të reja dhe qëndrimi i qeverisë së vjetër si kabinet në detyrë. Dhe këtë mundësi po ia jep opozita.
Po fitimi i kësaj të fundit cili është? E bindur se nuk ngre dot një qeveri të sajën, kryesisht prej mungesës së vullnetit të dy partive të mëdha PD-LDK për të bashkpunuar me njëra-tjetrën, opozita ka zgjedhur rrugën e delegjitimimit të Albin Kurtit dhe përkundjes së idesë se ai është i pafuqishëm për të krijuar stabilitet. Prandaj ajo ka vendosur të mos lejojë konstituimin e parlamentit duke gjetur si pretekst mandatet e deputetëve që nuk mund të qëndrojnë si ministra në detyrë.
Pra, ndonëse në dukje debati është kushtetues dhe ligjor këto argumenta parimorë fshehin synime të qarta politike. Opozita luan kartën e destruktivitetit për të ciflosur imazhin e Albin Kurtit, ndërsa ky i fundit, ndonëse i ka numrat, e merr përsipër rriskun e kësaj krize, me shpresën se koha ta ndimojë për të rritur shumicën e vet që nuk i garanton një qeverisje të qetë.
©LAJME24