KQZ ka justifikuar sot bonusin elektoral të shpërndarë nga qeveria dhe Edi Rama për pensionistët. Ndërsa Partia Demokratike kërkoi marrjen e masave ndaj kësaj shkelje, Ilirijan Celibashi e justifikoi me faktin se Qeveria e kishte marrë këtë vendim para periudhës së ndaluar, pavarësisht se akti dhe propaganda u krye brenda 4 mujorit të ndaluar me ligj.
Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe qeveria u ka shpërndarë bonus elektoral pensionistëve në fashën e 4 muajve të ndaluara me ligj për akte të tilla, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjetur sot artificat ligjore, për të justifikuar joshjen e pensionistëve me bonus për vota.
Partia Demokratike kërkoi nga KQZ marrjen e masave për bonuset elektorale, por Ilirijan Celibashi, ndryshe nga dy vite më parë, kur justifikohej me faktin se ishim përballë zgjedhjeve lokale e jo qendrore, këtë herë gjeti një tjetër argument. Sipas Celibashit, vërtetë bonusi u shpërnda në periudhë të ndaluar, por Edi Rama e kishte marrë vendimin përpara afatit të ndaluar me ligj.
Por ky justifikim i kreut të KQZ-së, që me ligj është institucioni që duhet të garantojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sjell për pasojë edhe sjelljen e jashtëligjshme të fenomeneve të blerjes së votave, siç ka ndodhur në të shkuarën me shpërndarjen e bonuseve për rindërtimin, asfalteve elektorale apo përdorjen e ndihmës për familjet në nevojë.