Të tjera detaje janë zbardhur nga arrestimi i biznesmenit Amant Josifi në Dubai, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Gazeta më e madhe në Spanjë, “El Pais” ka zbuluar se Amant Josifi u ndalua më 6 shtator në Dubai pasi ishte përcaktuar nga policia e katalonjës dhe “Guardia Civil” si objektiv “me vlerë të lartë”.
Sipas autoriteteve spanjolle Josifi është pronar i disa call-centre të regjistruara në Shqipëri, përmes të cilave policia dyshon se janë mashtruar me mijëra shtetas spanjollë, duke i ofruar investime financiare false.
“El Pais” shkruan se Josifi është një biznesmen i njohur në Shqipëri, me lidhje të forta politike. Ajo shton se arrestimi i tij ka shkaktuar një tërmet në vendin tonë, dhe se Josifi ka shërbyer si këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes në periudhën 2018-2020.
Një nga avokatët e 33-vjeçarit në Spanjë tha për gazetën “El Pais” se Josifi është thjesht një biznesmen që kishte marrë me qira call-centra dhe se nuk e dinte se çfarë lloj aktivitetesh kryheshin aty. Arrestimi, sipas burimeve gjyqësore spanjolle, është kryer përmes Interpolit. Josifi është i lirë, pa asnjë masë sigurimi, në pritje të paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu.
Hetimi i çështjes ka zbardhur funksionimin e “call centre” të hapura 24 orë në ditë, me dhjetëra persona që pretendohet se janë agjentë fals, të cilët mashtronin qytetarët nga e gjithë bota.
‘Viktimat’ besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe kriptovaluta, por në realitet paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale.
Sipas “El Pais” Amant Josifi ishte ne krye të degës të organizatës kriminale që merrej me mashtrimin e qytetarëve spanjollë, dhe që kishte epiqendër Shqipërinë.