Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për heqjen e sekuestros së celularit. Celulari iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Një ditë më parë, GJKKO la në qeli Veliajn, si edhe rrëzoi edhe ankimin e biznesmenit Elman Abule, i cili mbetet në arrest shtëpie.
Erion Veliaj është në hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit. Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se krijuan një skemë korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh rreth tij me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro. Po sot në Gjykatën e Lartë do shqyrtohet edhe një rekurs i vëllait të Veliajt, Arbër Veliaj po ashtu për sekuestron e celularit.