Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës sheh tek AfD botëkuptim mbizotërues nacionalist për prejardhje etnike të popullit gjerman. AfD mendon se partitë e tjera po bëjnë fushatë të motivuar politikisht.
AfD, Alternativa për Gjermaninë u klasifikua si parti ekstremiste e djathtë në të gjithë Gjermaninë nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Kjo më parë zbatohej vetëm për tre degë rajonale në lindje: Tyringi, Saksoni dhe Saksoni-Anhalt. Që nga marsi i vitit 2021, AfD është renditur në mbarë vendin si një grup i dyshuar ekstremist i krahut të djathtë.
Për këtë qëllim, shërbimit sekret vendas iu lejua të përdorte edhe burime të inteligjencës sekrete si informatorë, survejim dhe vlerësim të burimeve publike dhe jopublike. Sipas autoriteteve të Këlnit, janë pikërisht këto vëzhgime, të cilat e kanë vërtetuar tashmë dyshimin se partia ndjek synime antikushtetuese.
“Popull gjerman i përcaktuar etnikisht”
Shkak për këtë vlerësim është “karakteri ekstremist i të gjithë partisë, i cili shpërfill dinjitetin njerëzor”, thuhet nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Ndër të tjera ajo ka shqyrtuar deklaratat e bëra nga AfD gjatë fushatës zgjedhore federale dhe para tre zgjedhjeve shtetërore në Gjermaninë lindore. Lidhjet midis politikanëve të AfD-së dhe aktorëve dhe grupeve ekstremiste të krahut të djathtë luajtën gjithashtu rol qendror në hetimin tre-vjeçar.
Vlerësimi final: “Qëndrimi mbizotërues për prejardhje etnike të popullit tek kjo parti është i papajtueshëm me rendin themelor të lirë demokratik. Konkretisht, për shembull, AfD nuk i konsideron shtetasit gjermanë me sfond migrimi nga vendet me shumicë myslimane si anëtarë të barabartë të popullit gjerman, siç përcaktohet etnikisht nga partia.”
Raporti gjithëpërfshirës mbi të cilin bazohet klasifikimi i partisë si ekstremiste e djathtë nuk është publikuar. Por me të zvogëlohen edhe më shumë pengesat ligjore për mbikëqyrjen e AfD-së nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës.
AfD: Klasifikimi i motivuar politikisht
Vetë AfD e konsideron vendimin të motivuar politikisht. Zëvendëskryetari Stephan Brandner tha për “Rheinische Post”: “Ky vendim i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, i cili është i udhëzuar, është absurditet i plotë për nga përmbajtja, nuk ka të bëjë me ligjin dhe rendin dhe është një vendim thjesht politik në luftën e partive të kartelit kundër AfD”.
Ministrja e Brendshme e SPD në detyrë, Nancy Faeser, iu kundërpërgjigj akuzës se Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është në varësi të Ministrisë së Brendshme, kishte vepruar sipas udhëzimeve të saj.
“Nuk ka pasur asnjë ndikim politik në raportin e ri”, shpjegoi Faeser. Vetë raporti është në përputhje me vlerësimin e Faeser për AfD-në: “Qëndrimi i tyre nacionalist reflektohet në deklarata raciste, veçanërisht kundër emigrantëve dhe myslimanëve”, shpjegoi Faeser, që ka vetëm pak ditë në detyrë para se qeveria e re federale të marrë detyrën.
Politikanë të e partive të tjera e përshëndetën raportin e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Politikania e FDP-së, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, për shembull, i tha DPA: “AfD nuk është thjesht një parti proteste, por një lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë që dëshiron të shkatërrojë rendin tonë të lirë dhe demokratik.”
Sondazhet e nxjerrin AfD pjesërisht kryesuese
AfD ka bërë të ditur hapa ligjorë kundër klasifikimit të saj si një parti “e konfirmuar ekstremiste e krahut të djathtë”. Partia do të “vazhdojë të mbrohet ligjërisht kundër këtyre shpifjeve që rrezikojnë demokracinë”, thanë dy kryetarët Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Vendimi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës është “goditje e rëndë për demokracinë gjermane”.
Se çfarë do të thotë politikisht vlerësimi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës është një çështje tjetër. Në zgjedhjet federale të 23 shkurtit, AfD fitoi ndjeshëm me 20.8% dhe tani është grupi i dytë parlamentar më i fortë pas Unionit CDU/CSU. AfD është partia më e fortë opozitare në qeverinë e ardhshme të koalicionit midis CDU/CSU dhe SPD. Në sondazhet e fundit, mbështetja për AfD është rritur edhe më tej. Në disa sondazhe, AfD ishte në të njëjtin nivel ose edhe përpara CDU-së.
A do të ndalohet AfD?
Mjaft politikanë që duan ndalimin e AfD-së e shohin qëndrimin e tyre të konfirmuar me raportin e ri të Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese. Edhe Marco Wanderwitz nga CDU. Ai ishte iniciatori i një mocioni ndërpartiak parlamentar në Bundestag, i cili u mbështet nga më shumë se 120 deputetë, por që nuk doli në një votim përfundimtar në Bundestagun e mëparshëm. Deputetët donin që Bundestagu të aplikonte për ndalimin e partisë nga Gjykata Kushtetuese Federale.
Por ka edhe kundërshtarë të nismës për ndalimin e AfD-së. Politikanë të ndryshëm, juristë kushtetues dhe studiues politikë kanë argumentuar se një ndalim me sukses do të ishte ligjërisht i vështirë dhe do t’i jepte AfD-së një rol martir nga i cili ajo do të përfitonte. Përveç kësaj, partitë e tjera duhet ta luftojnë politikisht AfD-në dhe nuk duhet të përpiqen të eliminojnë konkurrencën politike me mjete ligjore.
Edhe Kancelari Olaf Scholz në largim paralajmëroi: “Unë mendoj se kjo është diçka për të cilën nuk mund të ketë nxitim”, u shpreh Scholz në Kongresin e Kishës Protestante në Hanover. Gjykata Kushtetuese Federale ka refuzuar të gjitha kërkesat e fundit për ndalim. “Unë jam kundër një vendimi të nxituar dhe për këtë arsye nuk do të them se kështu duhet ta bëjmë.”
Ministrja e Brendshme Faeser theksoi se vlerësimi i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës për AfD-në si parti ekstremiste e djathtë dhe një procedurë e mundshme ndalimi janë dy gjëra krejtësisht të pavarura. Në procedurën e ndalimit të partive, ka “me të drejtë pengesa shumë të larta kushtetuese”. Kjo “nuk mund të përjashtohet, por duhet të vazhdojë të trajtohet me shumë kujdes”. /DW