Close Menu

    Subscribe to Updates

    Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.

    What's Hot

    Plas fluska e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri | Rënie çmimesh dhe shitjesh mbi 30%

    29/06/2025

    Bien çmimet e apartamenteve në Tiranë: Rënie shitjesh, kredi të kufizuara dhe një treg që po shembet

    28/06/2025

    Nga Majko, Meta, Xhaçka e Kodheli, kush mbetet jashtë kuvendit nga “garda” e vjetër

    15/05/2025
    Facebook Instagram LinkedIn
    FLASH NEWS
    • Plas fluska e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri | Rënie çmimesh dhe shitjesh mbi 30%
    • Bien çmimet e apartamenteve në Tiranë: Rënie shitjesh, kredi të kufizuara dhe një treg që po shembet
    • Nga Majko, Meta, Xhaçka e Kodheli, kush mbetet jashtë kuvendit nga “garda” e vjetër
    • BIRN: Kontrolli mbi mediat shtroi rrugën për mandatin e katërt të Partisë Socialiste
    • Përmbysje në Lezhë, Marjeta Neli kryeson për mandatin e listës së hapur
    • Sherri në Kashar/ Sekretari i dhunuar i KZAZ jep detaje
    • Votat e ardhura nga Greqia, ja kur vendos KQZ për numërimin dhe vlerësimin
    • Sherri në Kashar, zbulohet çanta me euro në një makinë brenda perimetrit të KZAZ-së
    Facebook Instagram LinkedIn YouTube
    LAJME 24LAJME 24
    • AKTUALITET
    • POZITIVITET
    • POLITIKË
    • KRONIKË
    • SHOWBIZ
    • SHËNDETI
    • TEKNOLOGJI
    • SPORT
    • SONDAZHE
    LAJME 24LAJME 24
    Home » Analiza e BIRN/ Durrësi, një mandat kyç për maxhorancën e ardhshme është në lojë
    POLITIKË

    Analiza e BIRN/ Durrësi, një mandat kyç për maxhorancën e ardhshme është në lojë

    By LAJME 2407/05/20259 Mins Read
    Share
    Facebook Twitter LinkedIn Email

    Durrësi është një nga katër qarqet në të cilat, një grusht votash mangët për Lëvizjen Socialiste për Integrim, i dhanë Partisë Socialiste një mandat të çmuar shtesë dhe ia hoqën atë opozitës, duke krijuar maxhorancën që ka qeverisur vendin gjatë katër viteve të fundit. Nëse situata në terren nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore në këto zgjedhje, socialistëve do t’u duhet një sforco shtesë për ta ruajtur këtë mandat. Durrësi është edhe një prej qarqeve ku goditja e krimit nga SPAK pritet të reflektohet në rezultat.

    Vetëm 133 vota i nevojiteshin partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2021 për të marrë një mandat deputeti, mandat që i kaloi socialistëve për një rezultat 8 me 6. Në rast se LSI do të kishte kaq vota më shumë, mandati i takonte asaj dhe rezultati i qarkut të Durrësit, një nga katër qarqet më të mëdha në vend, do të ishte 7 me 7 dhe jo 8 me 6. Dhe në rast se LSI do të garonte në koalicion me PD-në në ato zgjedhje, rezultati i marrë do të dilte dhe tepronte për të realizuar barazim. Ndarja PD-LSI në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021 është ajo që i dha socialistëve në këtë qark 8 mandate, pra 57% të mandateve të qarkut, ndërkohë që rezultati i tyre në përqindje ishte 49.7 më 2017 dhe 50.3 më 2021. Në qarqet me numër mandatesh çift, ky avantazh i socialistëve është i pamjaftueshëm për të prodhuar rezultat në mandate, nëse nuk ka vota të djegura.


    Durrësi është edhe qarku ku, bashkë me Tiranën, është shkruar ndryshimi i maxhorancave qeverisëse në vitin 2005 dhe në vitin 2013. Në vitin 2005, të gjitha përballjet maxhoritare në qark u fituan nga Partia Demokratike në opozitë ndërsa në 2013, durrsakët dhe krutanët rritën në mënyrë drastike votat për socialistët dhe aleatët e saj duke i dhënë atyre 7 mandate dhe qeverisë së kohës, 5. Një ndryshim sado i lehtë në humor i banorëve të qarkut Durrës, ku bëjnë pjesë edhe bashkitë Krujë e Shijak, i heq një mandat socialistëve dhe ia kalon atë opozitës. Ndryshimi i kërkuar që socialistët të mbajnë 8 mandate që kanë marrë në qark në dy zgjedhjet e kaluara është i konsiderueshëm dhe po kështu, një përmbysje 8 me 6 për opozitën ngjan shumë e pagjasë.

    Rezultatet e vitit 2009, kur Durrësi kishte 13 mandate, i dhanë fitoren e thjeshtë Partisë Demokratike dhe aleatëve të vet, të cilët morën 52% të votave dhe 7 mandate. Partia Socialiste mori 35% të votave dhe 5 mandate. LSI mori një mandat me 8%.

    Në zgjedhjet e vitit 2013, PS mori një rritje të konsiderueshme me 11 mijë vota dhe, bashkë me LSI, e përmbysi rezultatin në mandate nga 6 me 7 për PD-në në 7 me 6. Ndërsa në vitin 2017, socialistët arritën të marrin 50% të votave të qarkut dhe siguruan me këtë tetë mandate. Suksesi i vitit 2017, me 73 mijë vota dhe 12 mijë më shumë se sa më 2013, u zbulua më vonë, erdhi së paku pjesërisht falë angazhimit të disa strukturave famëkeqe të krimit të organizuar në zgjedhje në favor të Partisë Socialiste.

    Ajo që më vonë u njoh si dosja 339 nisi si një hetim i autoriteteve gjermane kundër një grupi trafikantësh droge dhe solli, si efekt anësor, zbulimin e krimeve elektorale. Disa fragmente nga përgjimi, të rrjedhura ngë median gjermane Bild, demonstruan se si Astrit Avdyli, një njeri sot i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe i akuzuar për sigurimin e mjeteve dhe rekrutimin e vrasësve me pagese, zbulojnë se propozoi në vitin 2017 Ilir Ndraxhin për deputet duke i premtuar drejtuesit lokal socialist një rezultat që do të habiste edhe vetë Edi Ramën. Në një përgjim të dytë, Avdyli dëgjohet duke urdhëruar drejtorin e kompanisë publike të ujësjellësit që t’i japë atij listën e punonjësve të ndërmarrjes, nën kërcënimin e prerë se, nëse nuk japin votën për PS-në, do të pushoheshin nga puna.

    Në fakt, një nga hetimet më të hershme të SPAK kundër krimit zgjedhor zbuloi, mes gajasjeve të qytetarëve, se shumë komisionerë zgjedhorë kishin manipuluar rreth 5.5% të votave të zgjedhjeve në disa qendra votimi të vitit 2017, duke votuar në emër të personave të cilët në ditën e zgjedhjeve ishin në emigrim. Të qeshurat u shkaktuan për faktin që, kur SPAK urdhëroi arrestimet, në vitin 2020, tre vjet pas zgjedhjeve, dy nga komisionerët e akuzuar ishin ndarë nga jeta.

    Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët jo vetëm që e ruajtën rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, por e përmirësuan atë më tutje duke marrë 77 mijë vota ose 53%. Por në mënyrë të ngjashme, rezultati edhe kësaj here duket se u sigurua nga krimi zgjedhor dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje.

    Jurgis Çyrbja, një nga deputetët e PS-së së Durrësit, dha dorëheqjen dhe u arrestua, mes të tjerave, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje ndërsa Rrahman Rraja, një deputet tjetër socialist, baza e të cilit është zona e Niklës pranë Fushë-Krujës, dha dorëheqjen në vitin 2023 pasi në rrjet u publikua një video në të cilën, familjarët e tij shfaqeshin duke dhunuar me shkopinj bejsbolli dy qytetarë, krimi i të cilëve ishte që ishin ankuar në policinë e zonës për shpërthime në një gurore, e cila, ndonëse nën pronësinë nominale të tjetërkujt, dukej se ishte interes ekonomik i Rrajave.

    Një nga politikanët kryesorë të Durrësit, të cilin Rama e bleu nga LSI, Lefter Koka, u arrestua pak muaj pas zgjedhjeve për korrupsion dhe është aktualisht i dënuar.

    Akuzat për përfshirje të krimit të zgjedhje janë të shumta dhe përfshijnë në fakt jo vetëm maxhorancën. Një nga kandidatët e opozitës sot, ish-prokurori Arjan Ndoja, u shkarkua nga procesi i vetingut pikërisht për “kontakte të papërshtatshme” me persona me dyshime për aktivitete të krimit të organizuar ndërsa ish-zëvendëskryeministri socialist Arben Ahmetaj akuzoi në një rast Edi Ramën se ka emëruar një koordinator për marrëdhëniet me grupet e ndryshme kriminale, akuzë të cilën Rama e mohon. Ndoja ishte në një automjet me Aleksandër Lahon, i njohur gjithashtu edhe si Pëllumb Muharremi apo Rrumi i Shijakut, një personazh i botës së krimit që është aktualisht në gjykim për korrupsion, në çastin kur ndaj makinës së tyre u hap zjarr duke vrarë shoferin dhe duke plagosur Rrumin.

    Lufta e SPAK kundër krimit të organizuar me gjasa ka ulur forcën e disa grupeve kriminale por disa të tjera duket se kanë mbetur pa u prekur. Altin Hajri, personi që, sipas dokumenteve të prokurorisë, ndihmoi Jurgis Çyrben në zgjedhje në shkëmbim të informacionit policor, vijon të jetë në arrati, i shpallur fillimisht në kërkim katër vjet më parë.

    Njihet gjithashtu që një nga tiparet e krimit të organizuar është lehtësia me të cilën personat e rënë në burg zëvendësohen përmes promovimeve brenda grupit apo rekrutimeve të reja kështu që nevojiten goditje të njëpasnjëshme nga strukturat ligjzbatuese dhe, në mënyrë kyçe, nevojitet sekuestrimi i aseteve të krijuara nga krimi për të dobësuar fuqinë ekonomike të këtyre strukturave. Kjo nuk duket se ka ndodhur deri më sot.

    Në këto kushte, ajo që dihet është që struktura të ndryshme të krimit të organizuar kanë rol në rezultatin e zgjedhjeve në Durrës, gjë që e bën jo fort të vlefshëm hamendësimin se si mund ndahen votat.

    Profili demografik e social

    Qarku i Durrësit shtrihet kryesisht përgjatë Detit Adriatik në Shqipërinë qendrore ndërsa pjesë e qarkut është edhe zona e Krujës deri në kufi me Qarkun Dibër. Durrësi është porti më i madh i Shqipërisë dhe porta kryesore hyrëse dhe dalëse e tregtisë ndërkombëtare të vendit. Afrimësia me portin ka ndihmuar zhvillimin e industrisë fason për eksport, industri që aktualisht prej vitesh është në rënie ndërsa plazhi i Durrësit përbën një nga destinacionet më popullore turistike të vendit.

    Durrësi është zona ky gjenden pjesa më e madhe e pularive të vendit, aktivitet ekonomik që ka prodhuar disa deputetë përgjatë dekadave të fundit.

    Në zonën e Krujës, prania e gurëve gëlqerorë ka zhvilluar industritë e çimentos dhe të lëndëve të para për ndërtim, gjë që ka shkaktuar ndotje mjedisore.

    Qarku i Durrësit ka qenë bashkë me Tiranën destinacioni i migrimit të brendshëm përgjatë tre dekadave të fundit, me zona të gjera periferike të zhvilluara pa plane urbanistike, si zona e ish-Kënetës. Situata duket se ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, kur Durrësi i është bashkuar shumicës së qarqeve të vendit ku popullsia po vjen në rënie si pasojë e emigrimit.

    Të dhënat e censit 2023 tregojnë se popullsia banuese është 227 mijë vetë, me rënie 14% kundrejt vitit 2001. Në fakt, rënia e popullsisë mes Censusit 2011 dhe Censit 2023 është më e madhe se sa rritja e shënuar mes viteve 2001 dhe 2011.

    Rreth 62% e popullsisë jeton në qytetet Durrës, Fushë-Krujë, Manëz, Krujë e Shijak. Ndarja urban-rural në rastin e këtij qarku nuk bën shumë sens për shkak se zonat periferike përreth qytetit të Durrësit, si Rrashbulli, me 24 mijë banorë, apo ajo e Sukthit me 13 mijë banorë, janë efektivisht pjesë e zonës urbane pavarësisht se nominalisht vijojnë të njihen si fshatra.

    Kandidatët

    Deputetët Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri e Ilgi Cara kanë zënë vend në listën e mbyllur të Partisë Demokratike, ku gjenden edhe Artan Luku nga Partia Agrare Ambientaliste, i cili punon si drejtor në pularinë nën pronësinë e kryetarit të partisë Agron Duka, dhe Manjola Luku, një farmaciste në Manëz.

    Ish-prokurori Arjan Ndoja, gazetari Aulon Kalaja apo deputetja Andia Ulliri konkurrojnë për një apo dy mandate që opozita shpreson të fitojë jashtë listave të mbyllura.

    Socialistët konkurrojnë me deputetët Klodiana Spahiu, Milva Ekonomi, e Aurora Mara në listat e mbyllura krahas shkrimtarit Loer Kume, i cili për nga profesioni kryesor është dentist dhe Skënder Pashaj, një biznesmen me aktivitet kryesor në industrinë fason.

    Ilir Ndraxhi garon nga listat e hapura për dy apo tre pozicionet e mbetura, krahas një numri drejtorësh të administratës publike si Ani Dyrmishi, drejtor në shëndetësi, në hipotekë dhe në hekurudhë, apo Dorina Laçi, drejtoreshë e arsimit në Krujë. /Marrë nga Reporter.al


    Share. Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp Reddit Email
    LAJME 24
    • Website

    Ky lajm është i publikuar nga gazetari i LAJME 24 ( Klajdi ), cdo lajm i publikuar nga Klajdi mban këtë të drejtë autorsie. Klajdi është një gazetar me eksperiencë dhe i gatshëm të bëj më të mirën.

    Related Posts

    Nga Majko, Meta, Xhaçka e Kodheli, kush mbetet jashtë kuvendit nga “garda” e vjetër

    15/05/2025

    BIRN: Kontrolli mbi mediat shtroi rrugën për mandatin e katërt të Partisë Socialiste

    15/05/2025

    Përmbysje në Lezhë, Marjeta Neli kryeson për mandatin e listës së hapur

    15/05/2025
    LAJMET E FUNDIT

    Plas fluska e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri | Rënie çmimesh dhe shitjesh mbi 30%

    29/06/2025

    Bien çmimet e apartamenteve në Tiranë: Rënie shitjesh, kredi të kufizuara dhe një treg që po shembet

    28/06/2025

    Nga Majko, Meta, Xhaçka e Kodheli, kush mbetet jashtë kuvendit nga “garda” e vjetër

    15/05/2025

    BIRN: Kontrolli mbi mediat shtroi rrugën për mandatin e katërt të Partisë Socialiste

    15/05/2025
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Pinterest
    • Instagram
    • YouTube
    • Vimeo
    Për të mos u humbur
    POLITIKË

    Berisha: Pse Veliaj nuk u akuzua për 5D-në kur ishte pronar i hotelit 60-70 milionë €

    By LAJME 2405/04/20250

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës së Depos…

    VIDEO/ Arlind Qori: Do ua kryp kokën me taksa, atyre që kanë disa shtëpi!

    18/04/2025

    OKB për tarifat e Trump: Godasin të pambrojturit dhe të varfërit

    05/04/2025

    Haradinaj sulmon ish-aleatin: Veprim mjaft i turpshëm, kemi kërkuar votë për ndryshim

    14/04/2025

    LAJME24.net është një portal serioz që sjell në kohë reale lajme nga vendi e bota.

    Nisur nga cilësia e lajmeve LAJME 24 nisi misionin për të përmirësuar cilësinë e lajmeve dhe profesionalizmit në gazetari dhe media.

    Të gatshëm për të bashkëpunuar me audiencën për të sjell më të mirën dhe për të denoncuar shkelje e skandale që prekin interesin tuaj.

    Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin dhe besimin!

    [elementor-template id="4187"]

    Facebook Instagram YouTube LinkedIn
    © 2025 LAJME 24 Designed by Google Developers.

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.

    Ad Blocker Enabled!
    Ad Blocker Enabled!
    Our website is made possible by displaying online advertisements to our visitors. Please support us by disabling your Ad Blocker.