Është shtyrë seanca e parë e padisë së Adriatik Lapajt ndaj Agron Shehajt për shpifje. Shkak është bërë mungesa e Agron Shehajt i cili sipas gjykatës nuk ishte njoftuar. Vetë Lapaj ishte i pranishëm.
Adriatik Lapaj paditi për shpifje në SPAK Agron Shehajn pas akuzave se ka marrë 45 mijë euro nga një kompani e Çopjave. Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë miliona lekë nga kompania që u sekuestrua nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal.
Ai mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë. Shehaj vazhdoi sërish me akuzat, duke i shoqëruar edhe me dokumente, ku thoshte se Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e një prone miliona euroshe që kompania e Çopjave kishte blerë në bregdet. Sipas Shehajt, vendimi për pronën është dhënë nga vjehrri i Adriatik Lapajt, Alltun Çela, kur ai ishte kryetar i Gjykatës së Sarandës.