Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pasi mbante pistoletë pa leje në banesë. Gjatë operacionit u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë për armë zjarri kallashnikov
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe ndërhyrjet intensive në të gjithë territorin e qarkut, me fokus goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe të çdo veprimtarie të paligjshme që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këtë kuadër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nightfall 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi B. A., 34 vjeç, banues në fshatin Tragjas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë për armë zjarri kallashnikov. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.