Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha është filmuar në zonën e njësinë numër 1 në Tiranë teksa nxjerr nga automjeti i tij një pako me fletushka. Ato besohet se i përkasin fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
Pamjet janë shpërndarë në rrjetet sociale nga aktivisti Rigels Xhemollari. Ai shkruan se ministri nxori nga makina shtetërore disa fletëpalosje. Sipas tij makinat e shtetit dhe Gardës së Republikës që përdoren nga Hoxha paguhen nga qytetarët për t’i shërbyer shtetit dhe jo partisë së ministrit.
“Këtu ndodhemi në njësinë numër 1. Ky është Ervin Hoxha ministër i brendshëm, nxori disa fletëpalosje nga makina e shteti që paguhet me paratë e shtetit. E shoqërojnë dy makina të tjera, badyguard dhe Garda e Republikës. I paguajmë për t’i shërbyer shtetit, jo partisë. Ja prova për prokurorinë dhe SPAK e këdo organ që mund të hetojë ministrin e brendshëm është këtu” – shprehet ai në video.
Aktivisti shkruan se fletushkat kanë simbole të PS-së dhe numrin 5-së. Ai i bën thirrje që SPAK të nisë hetimet për ministrin duke shtuar se dorëheqja nuk duhet te diskutohet, por ky krim zgjedhor duhet te hetohet e të bëhet shembull për këdo zyrtar tjetër.
“SPAK të nisë hetim për Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha. Në shkelje flagrante Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha përdor makinën e shtetit (targa e evidentuar) dhe Gardën e Republikës në njësinë nr 1 në Tiranë.
Përdorimi i makinës dhe shoqërimi i Gardës jashtë orarit të punës, por në shërbim të ministrit si kandidat për deputet i PS, me fletushka qe kanë simbole të PS si numri 5 përben vepër penale dhe dënohet me burg. Dorëheqja nuk duhet të diskutohet, por ky krim zgjedhor duhet të hetohet e te bëhet shembull për këdo zyrtar tjetër” – shkruan Xhemollari. LAJME24